2 sht 2007

TROJKA, “SHPËTIMTARJA” E KOSOVËS!

Kristina RASI

TROJKA, “SHPËTIMTARJA” E KOSOVËS!

Pas tullumbaces politike të Paketës së “famshme” të Marti Ahtisarit, siç duket zbriti nga qielli , një “kometë”, “shpëtimtarja e Kosovës“ e ashtuquajtura „Trojka“ apo “Treshja” për Kosovën.
„Trojka“ e përfaqësuar nga Fank Wisner (USA), Alexander Bozan- Chartschonko (Rusia) dhe nga Wolfgang Ischinger (EU)
Evropa, e përfaqësuar nga diplomati plak gjerman, Wolfgang Ischinger.
Se zbritën në Kosovë, këta “humoristë” batutash politike evropiane, shqiptarët atdhetarë, kjo nuk i bënë aspak të kënaqur.
Nuk është fare e çuditshme, pse edhe Franca dhe Spanja u pajtuan që pikërisht ky diplomat gjerman të përfaqësoj Bashkimin Evropian. Ishinger, nga viti 1995- 1998 ka luajtur rol kyç në Bashkimin Evropian për marrëveshjen e „paqes“ së Dejtonit për Bosnje dhe Hercegovinë. Ky politikan “i famshëm” ka përdorë gërshërë të mëdha dhe „din shumë mirë“ të operojë, pra, t’i copëtojë trojet e popujve liridashës, siç bëri edhe në Bosnjë. Prandaj, nuk është aspak e çuditshme se diplomati gjerman, këto „gërshërë do t’i sjellë me vete edhe në Kosovë dhe me ato gërshërë të njëjta siç ishin “paqësore” dikur, do ta copëtojë edhe Kosovën.
Ky diplomat është i njohur edhe për edhe për raportet e mira me Rusinë, ai ka bëre „çmos“ që edhe Rusia në vitin 1999 të kyçet në planin e NATO-s për Kosovën, pra, Ishinger i „harmonizoi“ raportet mes këtyre dy palëve dhe e „bindi“ Rusinë të nënshkruaj Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit.
Politikanët “largpamës” shqiptarë u mashtruan dhe e nënshkruan Marrëveshjen e Rambujes duke mos parashikuar aspak se çka do të sjellë pastaj, kjo Marrëveshje dhe çfarë prapavije të errët kishte Rezoluta1244, konkretisht. Apo, “larg qoftë” ata ishin aq naivë sa të nënshkruanin ndonjë dokument pa e ditur çka përmban brenda saj. Por, kjo tani i takon historisë, se sa “përfituam të mira” prej saj ne shqiptarët, tani po shihet, si në dritën e diellit.
Ischinger është shumë i „dashur“ edhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse, në kohën e sulmeve të 11 shtatorit 2001, ai ishte ambasador atje dhe që dihet mirëfilli se pas këtyre sulmeve Gjermania dhe Franca ia kthyen shpinën Amerikës dhe nuk iu bashkëngjiten aleancës (kësaj lufte) kundër terrorizmit, pra Wolfgan Ishinger ishte diplomati gjerman që i acaroi rëndë marrëdhëniet në mes SHBA-së dhe Gjermanisë. Kjo, ngjau në kohën kur ishte kancelari Schröder në pushtet. Ischingeri, ishte i angazhuar maksimalisht së bashku me presidentin e Rusisë, Putin, që Gjermania dhe Rusia të kenë marrëdhënie bilaterale në mes këtyre dy shteteve që deri në atë kohë nuk i kishin pasur një lulëzim të tillë dhe nuk ishin fare në agjendën gjermane.
Pra, duke vlerësuar nga të gjitha këto sa i ceka më lartë, konstatoj se: aspak nuk është e ndershme dhe serioze për disa politikanë “kosovarë” të cilët e pritën me kënaqësi emërimin e tij në grupin e “Trojkës”.
Një mik kaq i denjë i Rusisë dhe i Serbisë, njëkohësisht nuk mendoj se mund të jetë edhe mik i Shqipërisë Natyrore.

Ndërsa, ambasadori amerikan Frank Wisner, i ka planet e tij për Kosovën, pra ai e përkrah vijën amerikane, që Paketa e Ahtisarit të bëhet e plotfuqishme, që në fakt kësaj Pakete tashmë as vetë Marti Ahtisari nuk i beson. Ai, në një deklaratë, kohëve të fundit tha: „ Nuk besoj se do të ketë zgjedhje për statusin e Kosovës“!
Të përkrahësh Paketën e Ahtisarit, konsideroj se kjo nuk është aspak ndihmë për Kosovën. Kur dihet se kjo Paketë Kosovën e gjymton në shumë fusha të jetës ekonomike, politike, ushtarake etj.
Ndërsa, planet e Rusisë tani po dihen, Alexander Bozan- Chartschonko ka për detyrë që të këmbëngulë dhe kurrsesi të mos tpranoj asnjë vendim pozitiv që eventualisht do të tentohej të merret për Kosovën.
Shtrohet pyetja pse ky grup quhet „Trojka“ dhe jo “Treshja”?
„Trojka“ me sa di unë, është fjalë në gjuhën serbe dhe që në shqip d.m.th „Treshja“, pra që nga emërtimi i grupit u bë një padrejtësi nga ana e emërtimit. Pse fjala vjen, ky grup nuk u emërtua në një gjuhë tjetër, p. sh. në gjuhën angleze?
Kjo, zgjon dyshime të bazuara në fakte se ky grup diplomatësh është pro- serb, prandaj edhe u pagëzua po me emrin e tyre adekuat- serbisht.
Pra „Trojka“ apo “ Treshja” e “famshme” ka ardhur për t’i bërë favore Serbisë, këta do të kërkojnë kompromise prej shqiptarëve dhe jo serbëve. Mbase, këtë po e deklarojnë hapur.
Ky kompromis tani po dihet mirë cili do të jetë: gjatë këtyre 120 ditëve, do të përsëritet historia e Evropës Plakë të 1913-të, sërish do të kërkohet ndarja e trojeve të Shqipërisë, gjegjësisht, Kosovës.
Ndërsa, në anën tjetër kryeministri i Kosovës z. Agim Çeku deklaroi përsëri se : “nëse do të vijnë bisedimet deri në atë pikë që të kërkohet ndarja e Kosovës, ne nuk do të shkojmë fare në këto bisedime”!
Populli shqiptar disa herë u zhgënjye nga deklaratat boshe nga “Grupi i Unitetit” të cilin e kryeson z. Çeku, prandaj me të drejtë dyshojmë në sinqeritetin e deklaratës së tij; megjithatë mbetet të shohim kësaj here se sa do ta mbajë fjalën z. Kryeministër.
Zvicër, Më 12.08.2007

Nuk ka komente: