Çështja e Kosovës është çështje shqiptare
REPUBLIKA E SHQIPËRISË, DUHET T´I KËRKOJË TROJET E VETA
ZYRTARISHT…
Shkruan: Fatos ALIU
Kosova është shqiptare dhe i takon Shqipërisë, por klanet e korruptuara kriminale ne kreun e politikave të Kosovës i hapën rrugë imperializmit pansllav në Ballkan
· Shteti aktual, Republika e Shqipërisë, duhet t'i kërkojë trojet e veta zyrtarisht dhe botërisht, në shembullin e zëvendës ambasadorit të Shqipërisë në Vashington, Kreshnik Çollakut, si obligime që dalin edhe nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, për jetësimin e aspiratës së popullit shqiptar për bashkim kombëtar .
Lëvizja e vijës së kuqe në favor të pansllavizmit
Me Zgjedhjet e 17 nëntorit 2007, synohet repriza e skenarit të 17 nëntorit 2001, sepse asgjë nuk ka ndryshuar nga referenca e vjetër politike e juridiksionit të kornizave kushtetuese, gjegjësisht rregulloreve proserbe të UNMIK-ut.
Si rezultat i negociatave mbi këto baza është arritur tek Plani tashmë i dështuar i Ahtisarit , sepse pansllavizmi llogaritë Vijën e Kuqe Pansllaviste në Kosovë.... Plani i Ahtisarit ishte një ofertë kompromisi nga ana e "elitës negociatore" - uzurpatore të Kosovës, "Ekipit të Unitetit" dhe strukturave tjera të korruptuara të Kosovës, për të vazhduar me pushtetin e vet plaçkitës të Kosovës. Pikërisht kjo ofertë e bërë nga ana e këtyre kriminelëve ordinerë në kreun e politikave të Kosovës, i ka hapë rrugë Serbisë dhe Rusisë që ta zhvillojë ofanzivën politike dhe diplomatike për lëvizjen e vijës së kuqe në favor të pansllavizmit. Rezultat i kësaj oferte është tjetërsimi i trashëgimisë historike kulturore dhe pranimi i planit të rikolonizimit nëpërmjet konceptit të decentralizimit para pavarësisë dhe shtetësisë.
Mirëpo, llogaritë e vijave të kuqe po bëhen pa hangjinë, sepse Kosova është çështje shqiptare dhe i takon Shqipërisë. Komplikimet po i bëjnë vetë elitat e bashkësisë kolonialiste ndërkombëtare me qëllim që ta kenë vatrën e krizës dhe të shkarkimit të streseve politike, gjatë ballansimit të sferave të tyre të interesit. Aktualisht në Ballkan, këto zhvillime po bëhen në kurriz të trojeve shqiptare, duke dëmtuar qenjen kombëtare shtetformuese, ndërsa shtyerjet rreth "statusit të Kosovës", me improvizimin e planeve a la Ahtisari, po shërbejnë si metodë dhe instrument për ta dëmtuar statusin e kombit shqiptar në përgjithësi, duke e pamundësuar konsolidimin e tij si komb e si shtet i qëndrueshëm, si faktor ekuilibri dhe stabiliteti në Ballkan.
Çështja e Kosovës kërkon zgjidhje sipas parimit të njohur
për vetëvendosje
Në të vërtetë, çështja e Kosovës, duke qenë mbi të gjitha çështje shqiptare, nuk zgjidhet e vendoset nga jashtë, pa u zgjidhur nga brenda, nga populli i saj, sipas parimit të njohur të vetëvendosjes. Si tokë shqiptare, Kosova është Shqipëri, dhe zgjidhja e kësaj çështje nuk mund të trajtohet në kontekst të vijave të kuqe të interesave pansllaviste, serbo-ruse. Strategjia e konflikteve permanente nuk buron nga shqiptarët, por nga elitat e sferave të dominimit të cilat preferojnë elita të korruptueshme vendore, me të cilat manipulojnë lehtë.
Pse atëherë misionet multietnike kërkojnë zgjidhje multietnike në Kosovën shqiptare të Shqipërisë!?
Fatkeqësisht, në botën shqiptare nuk dëgjohet zëri i artikulluar dhe i organizuar i shtresave intelektuale dhe akademike për të vërtetën e zhveshur nga demagogjia dhe hipokrizia e interesit, konformizmit dhe servilizmit. Deri më sot, ka munguar iniciativa qoftë edhe për një Debat Akademik dhe Qytetar, për një ballafaqim të hapur dhe pa doreza me realitetin e degradimit të përgjithshëm, me rrezikun që i kanoset identiteti dhe qenjes kombëtare shqiptare, kulturës së tij materiale e shpirtërore, tërësisë territoriale të trojeve shqiptare. Shqiptarëve i mungon një bosht akademik kombëtar, zëri i fuqishëm akademik në botë për të drejtën e tij të ribashkimit si komb e si shtet. Si pasojë e kemi ofanzivën e organizuar dhe të strukturuar mirë të armiqëve të çështjes shqiptare.
Zgjedhjet e 17 n ëntorit nuk mjafton vetëm të bojkotohen…
Zgjedhjet e reja të paralajmëruara mbi baza antishqiptare e mafioze edhe mund të mbahen në Kosovë, sepse ato nuk janë në duar legjitime të vendosjes së popullit dhe përfaqësuesve legjitimë të tij. Këto lloj zgjedhje nuk mjafton vetëm të bojkotohen, sado masovikisht, sepse skenari i tyre është përgatitur nga aleanca e kolonializmit ndërkombëtar, me Serbi dhe elitën e korruptuar uzurpatore të Kosovës. Ato do të duhet jo vetëm të bojkotohen, por të bllokohen aktivisht nga populli, me një mobilizim gjithëshqiptar me deklarim gjithëkombëtar, për Kosovën e pavarur shqiptare, për vetëvendosjen shqiptare, dhe bashkimin e trojeve shqiptare për një Shqipëri, me moton tashmë të popullarizuar: një komb - një qëndrim.
Ky mobilizim duhet të jetë i qartë dhe kuptimplotë, pa dilema e kalkulime demagogjike në rrugë të bashkimit dhe kthimit të trojeve të ndara shqiptare - Shqipërisë, të cilës i takojnë, dhe të cilës i janë coptuar në favor të shteteve fqinjë. Kosova shqiptare në kufijtë e tanishëm është vetëm një pjesë e ish-Vilajetit Shqiptar të Kosovës. Tani është koha që trojet shqiptare t'i kthehen dhe bashkohen Shqipërisë.
Republika e Shqipërisë, duhet t'i kërkojë trojet e veta zyrtarisht…
Shteti aktual, Republika e Shqipërisë, duhet t'i kërkojë trojet e veta zyrtarisht dhe botërisht, në shembullin e zëvendës ambasadorit të Shqipërisë në Vashington, Kreshnik Çollakut, si obligime që dalin edhe nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, për jetësimin e aspiratës së popullit shqiptar për bashkim kombëtar.
Aspirata e bashkimit kombëtar është vulosur historikisht me gjak e sakrifica, si me luftën e fundit çlirimtare, dhe me rezistencën historikisht të pandalur dhe të gjitha luftrat çlirimtare të popullit shqiptar. Pjesmarrja e popullit shqiptar në krah të luftës së përbashkët me Alenacën e Atlantikut në Luftën e II - të Botërore, është një shembull historik i përcaktimit të popullit shqiptar për një përbashkësi me Alencën e Atlantikut, për zbatimin e parimit të vetëvendosjes edhe për popullin shqiptar. Për këtë dhe në këtë frymë ishte organizuar Konferenca Antifashiste të Bujanit të janarit 1945, me vendimet e saj për Vetëvendosje dhe Bashkim të Kosovës me vise, me trungun - Shqipërinë. Këto vendime ishin bërë konform Kartës së Atlantikut, frymës dekolonizuese dhe çlirimtare të popujve të kolonizuar.
Tani është koha kritike e rivendikimit të padrejtësive, koha e kthimit dhe bashkimit të trojeve shqiptare të Shqipërisë. Kjo është rruga e vetme e zgjidhjes së problemit kryesor kombëtar e shtetëror të pazgjidhur në Ballkan dhe Evropë. Vazhdimi i lojërave me zgjedhjet sipas planeve dhe vijave të kuqe pansllaviste, nuk sjellin zgjidhje, por alternativën e papërfunduar të zgjidhjeve të armatosura, mobilizimin gjithëshqiptar për vazhdimin e luftës së papërfunduar me okupatorët e trojeve shqiptare.
Prishtinë, 4 shtator 2007
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment