2 sht 2007

SEKRETI I VETONIT

SEKRETI I VETONIT


Salih MEHMETI
Ditë më parë u bë publik edhe deklarimi i hapur i Ishingerit, i cili saktësoi për të satën herë pas diplomatëve të ndryshëm evropian, se Rezoluta 1244 do të jetë rishtas një platformë parimesh, rreth së cilës do të përvijojnë negociatat katërmujore.
Lajmimit të përfaqësuesit të BE –së rreth përforcimit të Rezolutës me automatik, iu bashkangjiten edhe një shumësi deklaratash ngulmuese të politikanëve në Serbi të cilët po kërkojnë rivendosjen legale të trupave ushtarake serbe brenda territorit të Kosovës, ashtu çfarë e thonë klauzolat e kësaj rezolute. Hëpërhë, Serbia duke parë suksesin e saj mbi kontrollimin shantazhues të Kosovës ka vënë në lojë kartën e saj të re: federalizimin e Kosovës së brendshmi (me komuna serbe) dhe së jashtmi në raport me Serbinë.
Federalizimi nuk është tjetër veç një përvijim i ngulmimit të vazhdueshëm të Serbisë për të përbrendësuar Kosovën me një realitet çfarë i konvenon asaj: krijimi i federatës së brendshme në Kosovë, pra thjesht përjetësim entitetesh kundërthënëse.
Qysh pas përfundimit të luftës, Serbia mëtonte që ushtrinë e saj, potencialin luftarak dhe logjistik ta shpërndante gjithandej kufinjëve verilindor me Kosovën, në mënyrë të asisojtë që përmes çapitjes së ndadaltë por të sigurt të rrëshqas në thellësi të territorit të Kosovës. Sprapsja e shumë fshatrave përgjatë rripit verilindor kufitar me Serbinë është një dëshmi që hedh dritë mbi pohimin e sipërcekur. Ndërkaq, tani duke e ditur se Serbia i siguroi kufinjtë e saj, me Kosovën brenda, prirjet e saj që trupat ushtarake t’i tokëzojë përreth kufirit me Shqipërinë do të jenë më të dendura. Më të dendura dhe më serioze.
Sa për të larë gojën, përfaqësues të KFOR – it, thanë se deklaratat e atilla nuk duhet t’i marrim për seriozisht. Ja kështu na porosiste filan zyrtari i KFOR – it, që të relaksohemi edhe më, derisa vetë ai rreket që dakik për dakik të sigurojë çdo pjesëtar të KFOR – it nga çdo befasi. Këtë e përforcon akoma, edhe pakësimi sasior i kontigjenteve të ndryshme të KFOR – it nga Kosova. Gjithçka e kuptueshme: përmes davaritjes së një psikoze tejet relaksuese ndër popull, KFOR – i pikësynon përgatitjet, jo për të mbrojtur qytetarët po për tu larguar episode – episode nga Kosova. Për deklarimet e zyrtarëve të KFOR – it se nuk ekziston kurrfarë rreziku nga Serbia, do të thoshim sikur Prosper Merime: ‘Dy mohime janë baras me një pohim’.
Në këtë lojë makabre, jo vështirë mund të shquash edhe deklarimet tullumbace të disa ish krerëve ë UÇK – së, të cilët deklarojnë se ‘në qoftë se Serbia na mësyen ushtarakisht, ne prapë rrokim armët’. Këtë e thonë për hatër të prestigjit emëror të tyre, e jo se kanë një çikë dashuri për Kosovën.
Nëse Serbia na mësyen ushtarakisht, këta mburravec të llastuar (politikanët tanë), jo që nuk do të rrokin pushkën por do të rrokin kalemin për të nënshkruar çdo që u hidhet përpara.
Fundja, kur nëshkruhej marrveshja tekniko – ushtarake mes përfaqësuesve të NATO –s dhe gjeneralëve serbe në Kumanovë, krerët e tëhuajësuar të UÇK – së jo që nuk honepsëshin, por liheshin kafeneve të Prishtinës për të tellallisur ‘trimërinë e të nënshkruarit’. Ndërsa, ravijëzohej ndarja e Mitrovicës, Hashim Thaçi gjente kohë të pinte shampanjë me James Rubinin restoranëve të Prishtinës, duke lartësuar gjër në qiell Rambujenë dhe natyrisht duke folur për filmin e premtuar në Hollywood, që ky i fundit ia kish bërë në Rambuje Thaçit.
Ndërsa ambasadori rus në OKB shprehej se 10 dhjetori nuk do të jetë fundi i këtij tregimi (negociatave), Veton Surroi zdërhallej fshatrave të Kosovës duke predikuar, natyrisht pritjen dhe përulësinë. ‘Duhet ta përgatisim vendin për pavarësi’ shprehej një ditë prej ditësh endacaku i kompromisit, Veton Surroi. ‘Përgatitje për pavarësi’ na siguron për së dyti televizioni i tij, KTV – ja. Por, as Surroi as KTV – ja nuk thonë se çfarë përgatitjesh bëkan për të ‘përgatitur’ qytetarët për ‘pavarësi’!? Përgatitje për pavarësi, po thonë!? A kërkuan nga populli të ngritet gjithandej Kosovës nëpër demonstrata për të kundërshtuar eksperimentimin e mëkatshëm që po i ndodh Kosovës prej botës, dhe në sy të botës. Vallë a kërkoi Surroi që populli të kap armë e gur ndër duar për të mbrojtur pavarësinë?
Jo, që Vetoni nuk i kërkoi asnjërën prej këtyre, por për më zi ai yshti qytetarët që ta bënin pikërisht të kundërten: jo demonstrata por pritje dhe përulësi ‘dinjitoze’, jo kapje të armëve por ‘ruajtje të gjakut të ftohtë’.
Mirëpo, Vetoni, shpura e tij, televizioni i tij dhe askush tjetër nuk e di se pikërisht nga populli do të ndodh pikërisht e kundërta: ‘gjakftohësia’ do të bëhet gjaknxehtësi dhe ‘përulësia’ do të bëhet kryengritje. Krejt, kjo si reaksion i mirfilltë i popullit në kuadër të riorganizimit kombëtar. Shkrimtari romak Horaci thosh dikur në një mënyrë disi hedoniste se njëri ndër sekretet e lumturisë është mosbrenga ndaj çdo gjëje, pavarësisht se sa është e keqe (nil admirari). Një rregulli të tillë, sigurisht se i përfalen dhjetë herë në ditë Vetoni dhe banditët e tjerë – miq e dashamir të Vetonit.
‘E rrugën tonë me premun dojshin ata që n’pupla jetën kanë kalue’ kish pas thënë dikur Qemal Stafa.
Një i tilë i rritur ndër pupla është edhe Vetoni. Dhe është një kontrast gjithsesi i thekshëm: një qytetar i Kosovës nuk është rritur në pupla, por në tallazet e robërimit, varfërimit por edhe të kryengritjes me nder. Dhe ky qytetar do të rizgjohet, domosdomërisht. Le të vazhdojë atëherë Vetoni po ia mbajti me udhëtime të gjata apo të shkurtëra.

Salih Mehmeti
23 gusht 2007

Nuk ka komente: