Akuzat ndaj popullit shqiptar për spastrime etnike, do të përfundojnë turpshëm!
Shkruan: Sejdi Veseli
Duke përcjellë rifillimin e gjykimit ndaj ish Komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit, gjeneralit Ramush Haradinaj dhe bashkëluftëtarëve të tij, më kërkoi shpirti që në shenjë të përkrahjes ndaj të gjithë atyre bashkëluftëtarëve të cilit ishin viktima të proceseve të ngjashme të montuara politike, të shpreh këtë opinion timin.
Siç dihet, Tribunali i Hagës edhe këtë gjykim politik është i detyruar ta qojë deri në fund, në bazë të një aktakuze, jo të përpiluar, por të përshkruar nga një karrieriste e paskrupullt politike dhe viktimë e iluzioneve për vetëmadhështinë, zvicerania Karla Del Ponte, në bazë të shpifjeve të operativistëve dhe lakenjve shqipfolës të sigurimit serb dhe, me siguri edhe të redaktuar nga prej tyre. Thënë troç, në këtë në tekstin e kësaj aktakuze, vetëm nënshkrimi është i kësaj zonje.
Mjafton të përcillet ky gjykim politik që po i bëhet ish Komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit, gjeneralit Ramush Hajredinaj dhe bashkëluftëtarëve të tij dhe të mësohet e vërteta, se të gjitha akuzat që janë ngritur nga e ashtuquajtura “drejtësi” ndërkombëtare, ndaj pjesëtarëve të UÇK-së, janë të përpiluara në bazë të konstrukteve të operativistëve të sigurimit serbijan, të bazuara edhe në shpifjet e blera me çmime të mëdha nga zagarët e tyre shqipfolës.
Duhet theksuar, se si kompensim për shpifjet e tyre ndaj luftëtarëve të lirisë dhe UÇK-së në përgjithësi, këtyre zagarëve shqipfolës, jo vetëm se u mbulohet identiteti, por edhe shumicës prej tyre u janë siguruar vende pune dhe kushte banimi, në vendet që i kanë zgjedhur vet.
Me instalimin e administratës ndërkombëtare, menjëherë pas aprovimit të Rezolutës nr. 1244 në KS të OKB, Kosova futet nën një protektorat ndërkombëtar. Pa dyshim, se njëra prej hallkave kryesore të kësaj administrate e cila hiqet si gjoja “demokratike” është dhe “drejtësia” e saj. Kjo është një hallkë e cila shtrëngohet përditë e më shumë përreth qafës së popullit liridashës shqiptar, që prej se u instaluan unmikistanezët në Kosovës.
Siç u pa në vepër, Kosova nën këtë protektorat ndërkombëtar(kolonializëm unmikistanez), ishte rast i vetmuar në historinë e njerëzimit, ku ne vend se të ndiqeshin nga kjo“drejtësi” ndërkombëtare, ata që kishin ushtruar krime barbare mbi popullatën civile shqiptare ( pa asnjë dallim gjinie dhe moshe), për të cilat lirisht mund të thuhet, se ishin të përmasave të gjenocidit, përndiqeshin, përndiqen dhe burgosen ish luftëtarët çlirimtar. Përzgjedhja e atyre që duhet të përndiqen e burgosen, për “drejtësinë” ndërkombëtare ishte dhe mbeti parim. Përndiqen dhe burgosen ata, të cilët i tregojnë me gishti ish paramilitarët dhe ish policët serb, të cilët shëtisnin nëpër çdo cep të Kosovës, prej enklave në enklavën serbe, në përcjellje të policëve unmikistanez apo të pjesëtarëve të KFOR-it.
Gjatë këtyre arrestimeve të ish luftëtarëve të lirisë, shtëpitë e tyre bastiseshin natën dhe ditën. Këto bastisje për nga vrazhdësia dhe brutaliteti, nuk ndryshojnë me as gjë nga ato që bëheshin nga policia serbo-çetnike, sa që edhe sot, pas 8 vjetëve prej përfundimit të luftës, shqiptari nuk është i sigurt, se mos gjatë orëve të vona të natës, do t’i bien befas dhe dhunshëm në shtëpi, ushtarët e KFOR-it dhe sidomos, policët të veshur në të zeza dhe me maska në fytyrë për ta bastisur, deri në detalin e fundit.
Koha do të vërtetojë, se në rastin e Kosovës, historia e njerëzimit është njollosur, me vlerësimet faqezeza të “drejtësisë” ndërkombëtare, kur u tentua që viktima është barazuar me dhunuesin, kur çlirimtarët shqiptar janë barazuar me fashistët serbo-çetnik.
Kjo lojë e poshtër e “drejtësisë”ndërkombëtare, mund të dyshohet me bazë, se është bërë sipas direktivave të disa qarqeve tradicionalisht pro sllave dhe në koordinim me Moskën Zyrtare, me qëllim të minimizimit të krimeve barbare serbo-çetnike mbi popullatën e pa mbrojtur civile shqiptare. Për realizimin e këtij objektivi antishqiptar, “drejtësia” ndërkombëtare është shërbye dhe vazhdon të shërbehet me akuzat politike, të bazuara në deklaratat e konstruktuara nga operativistët e sigurimit e Beogradit Zyrtar dhe shpifjet e lakenjve të djeshëm dhe të sotëm të tyre. Në bazë të këtyre akuzave u ndaluan dhe u mbajtën nën arrest në aeroportet ndërkombëtare të Lubjanës, Vjenës dhe Budapestit, jo vetëm ish Shefi i Shtabit të UÇK-së, z. Agim Çeku, ish Drejtori i Drejtorisë Politike të UÇK-së, por edhe Bacë Adem Demaçi-Mandela i Kosovës..
Në bazë të një aktgjykimi politike u arrestua dhe dërgua në mbajtje të dënimit edhe veprimtari dhe luftëtari i lirisë, Naser Shatri.
Në bazë të akuzave politike të Sigurimit serb të publikuara në “Bela Knjiga”, „Albanski terorizam i organizovani kriminal na Kosovu i Metohiju“ dhe të deponuara në Interpol, në Policinë Unmikistaneze dhe në shërbimin inteligjent të KFOR-it, u shkarkuan shumë pjesëtarë të TMK dhe SHPK (për çka ndihmuan edhe kolegët e tyre karrierist), për t’u arrestuar më vonë në bazë të akuzave absurde, se gjoja paskan urdhëruar apo paskan krye krime lufte.
“Drejtësia” ndërkombëtare e bindur se do të dështoj turpshëm, në përpjekjet e saj për ta paraqitur Ushtrinë Çlirimtare, si një bandë të pa organizuar sipas standardeve të një ushtrie të mirëfilltë çlirimtare(për çka i ndihmuan edhe disa të ish drejtues të saj gjatë gjykimit në Hagë, jo për tjetër pos nga frika se po dënoheshin, edhe pse dihej se ishin të pafajshëm), prapë me ndihmën e Beogradit, filloj me akuza ndaj shqiptarëve në tërësi. Ajo, akuzon shqiptarët, se gjoja, pas përfundimit të luftës i paskan detyruar minoritarët serb e malazias që të shpërngulen dhunshëm nga Kosova.
Akuzë shumë e rëndë kjo!
Çka është edhe më keq, kjo akuzë e mbështetur në shpifjet e Beogradit, nga qarqe evropiane tradicionalisht prosllave dhe Rusia, po merret si “argument” në pazarllëqet rreth të ardhmes së Kosovës. Ky “argument” u shfrytëzua edhe nga Marti Ahtisari, për propozimet në Pakon e tij, shumë të dëmshme për interesat e ligjshme të shqiptarëve.
Për zbërthimin dhe vlerësimin e kësaj akuze kaq të rëndë, mjafton që t’i referohemi logjikës së shëndosh, natyrisht pa paragjykime dhe do të vërejmë, se diçka nuk është në rregull me ata që e bëjnë atë. Sepse të akuzosh një popull të tërë, si terrorist është një akt i dënueshëm. Diçka të tillë, ka mund të prodhoj vetëm mendësia fashiste dhe raciste.
Se ka ndodhur diçka e tillë, mund të besojnë vetëm ata, të cilëve ua ka pi sorra mentë.
Së pari, shqiptarët gjatë historisë së tyre mija vjeçare nuk kanë bërë një veprim të tillë. Jo pse nuk kanë pas një mundësi të tillë, shumë herë gjatë historisë dhe pse janë qyqarë, por një gjë e tillë, sipas kodeve të tyre morale dhe zakonore, të kultivuara brez pas brezi me fanatizëm, është e dënueshme edhe të mendohet.
Së dyti, ky popull trim dhe i pjekur, po të kishte dashtë të bëj një vepër të tillë kaq të turpshme, ai ka pas mundësi e mundësi, besa edhe arsye që ta bëj, para se të invadohej vendi i tij, nga forcat paqësore të aleancës më të fuqishme ushtarake të kohës! Por, të supozojmë, se nëse vërtetë, civilët minoritar serb e malazias paskan qenë të dëbuar nga shqiptarët. Ky veprim i “tyre” i ligë dhe i dënueshëm, paska pas ndodhur para hundëve të forcave të KFOR-it dhe policisë së UNIPOL-it. Atëherë edhe kjo përgjegjësi, nuk mund t’u adresohet vetëm shqiptarëve, sepse aj qenka e përbashkët me forcat e KFOR-it dhe UNPOL-it.
Në bazë të Marrëveshjes së Kumanovës dhe Rezolutës 1244 të KS të OKB-së, dihen përgjegjësit e këtyre forcave, sepse ato janë të definuara shumë qartë.
Gjithashtu, dihet mirë edhe fakti, se forcat e UÇK-së kanë qenë të urdhëruara nga KFOR-i, që të rrinë në largësi, së paku 200 metra dhe të pa armatosur me armë të gjata, nga rrugët e tërheqjes së forcave serbo-çetnike dhe teknikës së tyre luftarake.
Gjithashtu dihet, se populli shqiptar u kthye në vatrat e tij, vetëm atëherë pasi ato terrene ishin venë nën kontroll të plotë nga forcat ndërkombëtare. Atëherë, logjikisht parashtrohet pyetja: Si paskan pas mundësi për të ushtruar dhunë ndaj minoritarëve serb e malazias?
Në pamundësi për të dhënë një përgjigje të qëndrueshme dhe të bazuar në fakte, ata që shpikën këtë shpifje të poshtër ndaj popullit shqiptar, ata i referohen shpifjes rezervë, duke deklaruar se një gjë e tillë paska pas ndodhur, para se të futen forcat e NATO-s dhe të UNPOL-it në Kosovë (!)
Rrena i ka këmbët e shkurta, thotë populli!
Është e gjykuar të dështoj turpshëm edhe kjo akuzë antishqiptare e gatuar në kuzhinat e Beogradit zyrtar, në bashkëpunim me Kreun e Kishës Ortodokse Serbe, e lancuar nëpërmjet kasnecëve të tyre (në mesin e tyre edhe shqipfolës) dhe e mbështetur nga qarqe ndërkombëtare, të dëshmuara si tradicionalisht proserbe, ngase mbështetet në gënjeshtra e shpifje!.
Për analistin e liruar nga paragjykimet dhe prejudikimet, edhe kjo akuzë ndaj shqiptarëve, do të cilësohet ashtu siç edhe e meriton, e pa qëndrueshme!
Pse?
Sepse po të kishte pasur atë forcë UÇK-ja, për të dëbuar nga Kosova popullatën civile jo shqiptare, me siguri, më parë do të pengonte dëbimin dhunshëm nga vatrat e tyre, të mbi 1000.000 civilëve shqiptar, si dhe masakrimet dhe terrorin e përmasave të gjenocidit, që u ushtrua ndaj tyre nga forcat kriminale të pushtuesit serbo-çetnik!
Ishte popullata civile shqiptare ajo që u dëbua nga terrori serbo-çetnik, para se forcat tokësore të NATO-s të hynin në Kosovë. Pra, para dhe gjatë fushatës së bombardimeve të aviacionit të NATO-s mbi caqet me rendësi strategjike për forcat e pushtuesit serbo-çetnik.
Është e vërtetë e pakontestueshme se minoritarët serb e malazias nuk u dëbuan nga askush, por ata ikën bashkë me forcat e kapitulluara pushtuese serbe, ngase nuk i kishin lënë vetës vend për të jetuar në fqinjësi me shqiptarët, si dhe nga frika (koha dëshmoi se ishte e pa arsyeshme), se do të përballeshin me organet e drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare, për mizoritë që kishin mbështetë dhe krye ndaj fqinjëve të tyre, për të vetmin faj, pse ishin shqiptar.
Është e pakontestueshme, se si në çdo vend të botës edhe në Kosovën e pas luftës, ka pasur dhe ka raste individuale të dhunës, si ndaj shqiptarëve, romëve, turqve, boshnjakëve dhe serbëve, por jo në baza etnike.
Kjo dhunë individuale dhe ordinere, nuk mund të merret si shkak për shpërnguljen e minoritetit serb nga Kosova, por si pretekst për të kamufluar shkakun e vërtet të shpërnguljes së tyre, sepse situata e rëndë ekonomike dhe varfëria e rëndë në të cilën është futur Kosova po shpërngulen edhe shqiptarët, sidomos të rinjtë.
Shkaku i vërtetë i shpërnguljeve të minoriteti serb, nuk është vështirë të deshifrohet. Me siguri është edhe frika e pa arsyeshme nga hakmarrja e shqiptarëve, për krimet sistematike që janë ushtruar ndaj tyre, nga një numër jo i vogël i këtij minoriteti.
Për hir të së vërtetës, gjërat duhet t’i quajmë me emrin e vet.
Duhet pranuar botërisht, se përveç një numri jo të vogël të minoritarëve serb, që morën pjesë aktive në krimet më barbare ndaj fqinjëve të tyre shqiptar, të pakët kanë qenë ata zëra nga ky minoritet, që bile vetëm verbalist të ketë kundërshtuar fushatën antishqiptare, që zhvillohej nga kreu shovinist i Beogradit, prej vitit 1981 e deri në përfundimin e luftës.
Gjithashtu duhet ta themi botërisht, se edhe sot janë shumë të pakët në numër ata minoritar serb, të cilët e dënojnë publikisht këtë fushatë fashiste që u ushtrua ndaj fqinjëve të tyre shqiptar, por përkundrazi vazhdojnë ta mbështesin, ndërsa ata që e organizuan dhe që e zhvilluan atë, me në krye me kriminelët e luftës, Milosheviq, Mladiq, Karagjiq, Sheshel, e të ngjashëm, i konsiderojnë heronj të popullit serb, dhe fotografit e tyre, jo vetëm se i mbajnë, nëpër manifestime kombëtare dhe kishtare, por edhe nëpër shtëpitë e tyre.
Prishtinë, me 25 gusht 2007
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment