4 sht 2007

Dora e zgjatur e politikës kriminale

Dora e zgjatur e politikës kriminale

Realiteti politik në Kosovë, i mbizotëruar prej regjimit antidemokratik të UNMIK-ut që popullit ia mohon lirinë, ka prodhuar dhe toleron një mjedis, në të cilin klasa politike vendore ushqehet nga ekonomia e kontrolluar kriminale. Politika kontrollon biznesin, biznesi kontrollon politikën. Kjo është arsyeja pse e vetmja shtresë e ngushtë, e cila është pasuruar me shpejtësi marramendëse në Kosovë, janë politikanët e krimit ekonomik dhe biznesmenët e politikës kriminale. Prandaj kemi ministra që blejnë fabrika miliona euro, prandaj kemi biznesmenë që blejnë ministri. Pushteti blihet dhe Pushteti blen.

Duke e toleruar dhe kontrolluar simbiozën ndërmjet politikës vendore dhe krimit ekonomik, UNMIK-u shantazhon klasën politike kosovare. Aq të zhytur janë ata në krimin ekonomik, sa që i vetmi vend jashtë politikes u mbetet burgu. Kjo është arsyeja pse ata synojnë ta përjetësojnë veten në politikë.

S'do mend, që një pjesë të kësaj klase politike, nuk iu konvenojnë njerëzit e vullnetit të mirë, të cilët këmbëngulin për çrrënosjen e burimit të përbashkët prej nga marrin ushqim këto struktura kriminale: prej shtrëngimit me dhunë të bizneseve për dhënien e ryshfeteve, kushtëzimeve e kërcënimeve me armë, detyrimit të njerëzve për t'ua dhëne atyre një përqindje të caktuar nga profiti që u sjell biznesi. Po të mos ushqehej mafia ekonomike në këtë mënyrë, as partitë politike nuk do ta kishin ushqimin e bollshëm për mbijetesë, dhe sigurisht që udhëheqësit e tyre do të ishin shumë më të ngushta.


Njeri prej policëve, i cili në qytetin e Prishtinës njihej për vendosmërinë e tij të pamëshirshme për t'i shkuar deri në fund fushatës për shpërbërjen e strukturave të krimit ekonomik, ishte Triumf Riza, i vrarë pabesisht nga protagonistët e këtij krimi. Me që hegjemonia e pushtetit në Kosovë ka depërtuar në çdo pore të jetës shoqërore, Triumfi e luftoi krimin pothuajse i vetëm, pa mbështetjen e strukturave të larta udhëheqëse të ShIK-së, të cilat janë marionetë e politikës ekzistuese. Regjimi politik aktual vrasjen e Triumfit po synon ta degradojë në një konflikt qerimi hesapesh personale, duke synuar kështu ta largoje vëmendjen e opinionit larg përgjegjësisë së vërtetë që ky sistem politik ka lidhur me këtë ngjarje.

Strukturat kriminale ekonomike, të cilat vranë Triumfin mund të shkatërrohen vetëm nëpërmjet shtetit ligjor, i cili lind nga ushtrimi i të drejtës për vetëvendosje. Ky shtet nuk i konvenon klasës politike aktuale dhe strukturave të krimit ekonomik. Sepse atyre iu konvenon gjendja ekzistuese, prej të cilës kanë përfitime kriminale marramendëse, në kohën, kur populli i Kosovës po zhytet edhe më thelle në varfëri, e ku familjet e dëshmorëve, invalidët e veteranët e luftës, punëtoret, mësuesit, mjekët e pensionistët i janë lënë harresës e përçmimit. Kundër krimit triumfohet më lehtë, atëherë kur liria e vetëvendosja triumfojnë mbi UNMIK-un dhe klasën politike aktuale.

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Prishtinë, 3. 9. 2007

Nuk ka komente: