INTEGRIMI EUROPIAN KALON NGA BASHKIMI I SHQIPTARËVE
Shkruan: Koço DANAJ
Fillimisht vetëm për kujtesë: Sipas statistikave, në Ballkan afër 10 milion grekë, që të gjithë jetojnë në një shtet që quhet Greqi. Përsëri sipas statistikave, në Ballkan afër 8 milion serbë, jetojnë në një shtet në Serbi dhe të tjerët në Bosnjë e në Kosovë. Dhe duke vazhduar me statistikat, rreth 8 milion shqiptarë që jetojnë në Ballkan kanë këtë shpërndarje: 3.5 milion jetojnë në një shtet që quhet Shqipëri, 2 milion jetojnë në një Protektorat që quhet Kosovë, 100 mijë jetojnë në një shtet tjetër në Serbi, 700 mijë jetojnë në një shtet tjetër në Maqedoni, 60 mijë jetojnë në një shtet tjetër në Mal të Zi, afër një milion jetojnë në Greqi dhe afër 500 mijë në Itali.
Jo vetëm për kujtesë, por edhe analizë
Dhe për tu bërë më konkret, duhet thënë se qytetarët grekë punojnë për begatinë e zhvillimin e Greqisë dhe të vehtes së tyre. Qytetarët serbë në shumicë dërrmuese punojnë për zhvillimin e Sërbisë dhe të vehtes së tyre. Ndërsa shqiptarët janë më ndryshe; gjysma e tyre punon për Shqipërinë dhe për vehten e tyre, 2 milion që jetojnë në Kosovë punojnë për protektoratin e OKB, ata që janë brenda shtetit maqedon punojnë për zhvillimin e një shteti tjetër siç është Maqedonia. Shqiptarët e Luginës së Preshevës punojnë për zhvillimin e një shteti tjetër siç është Serbia. (Trojet e mija, shteti i tjetrit). Pra kemi një thyerje, kemi të bëjmë me një paradoks unikal. Duke lënë jashtë analizës atë që quhet emigracion ekonomik apo diasporë, kemi të drejtë të themi : Përse kjo padrejtësi ? Përse nga 8 milion shqiptarë, vetëm 3.5 punojnë për Shqiperinë, ndërsa të tjerët punojnë për OKB, për Serbinë, për Malin e Zi, për Maqedoninë ? Pyetja është e drejtë, përgjigja ka qenë dhe mbetet e padrejtë.
Fuçi - baruti apo oaz mirëqenie
Është i njohur nga ata që merren me ballkanistikën nocioni politik Ballkani – fuçi baruti. Dhe në qoftëse bëjmë një analizë të pjesshme të shekullit që sapo shkoi dhe ngjarjeve të tij, arrijmë në konkluzionin se nocioni «Ballkani – fuçi baruti» ka lindur nga artificialiteti i shteteve që janë fqinjë me Shqipërinë. Ai ka lindur nga paradoksi i shekullit të 20-të sipas të cilit vetëm kombi shqiptar ka fqinj vehten e tij. (Kosova është precedentë thonë shumë syresh. Por harrojne se precedenti më i madh i kësaj bote është kombi shqiptar. Është i vetmi komb që ka fqinj vehten e tij. Gjejeni një tjetër të tillë).
Kufijtë e Shqipërisë me shtete të tjera të Ballkanit nuk janë natyralë, janë artificialë. Ashtu si edhe teritoret e disa shteteve fqinjë nuk janë plotësisht natyralë, por kanë edhe artificialitet brenda tyre. Dhe ky artificialitet shfaqet hapur kur disa nga këto shtete kanë territore dhe popull shqiptar brenda tyre. Shikoni se çfarë ndodh: Maqedonia zhvillohet me kontributin e maqedoneve, por edhe me mendjen dhe trojet e shqiptarëve, siç është fusha e Pollogut. Greqia zhvillohet me kontributin e grekëve, por edhe me pronat e shqiptarëve të Çamërisë. Serbia zhvillohet me kontributin e serbëve, por edhe me mendjen dhe trojet e shqiptarëve. Ky është një realitet, pse ta fshehim. Fshehja është mashtrim. Ky mashtrim zgjati afër një shekull. Nuk mund të zgjasë më, sepse edhe atë e kanë kuptuar të gjithë.
Qarjet nuk zgjidhin asgjë
Shqiptarët kanë 95 vjet që shkruajnë dhe flasin se shpallja e pavarsisë së Shqipërisë Aktuale, ishte edhe tragjike, pasi la jashtë shtetit, gati gjysmën e hapsirave dhe popullit shqiptar. Qytetarë, shtetarë, gazetarë, historianë, politikanë përgjatë këtyre 95 vjetëve kanë pohuar pohimin e sipërthënë. Por edhe politikanë, qeveritarë apo gazetarë të huaj kanë qenë dakord me anën tragjike të krijimit të shtetit shqiptar. Pra kanë pranuar se veç «haxhiqamilëve» shqiptarë që ishin injorantë, kanë pasur edhe ata haxhiqamilët e tyre që nuk ishin injorantë. Haxhiqamilizimi nuk barazohet vetëm me injorancën. (Nuk është haxhiqamilizëm të kërkosh vetëm «babën», por është haxhiqamilizëm edhe kur të ndajnë nga Nëna dhe të japin me zor Vojvodën për «Burrë»). Dhe duket se bashkësia ndërkombëtare është duke rregulluar gabimet e saj. Kemi të bëjmë me një Drejtësi të Vonuar. Por duhet të pohojmë se ajo lypset të mos jetë Drejtësi e Cunguar. Dhe për të mos qenë e tillë, politika shqiptare duhet të ndryshojë. Bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht SHBA kërkon partnerë. Politika shqiptare nuk duhet të jetë pengesa krysore e kombit nga i cili ka dalë. («Jo me Serbinë, por me Shqipërinë» do të shprehej europeisti i madh shqiptar nga Gjilani, Ramiz Cërnica në Kuvendin e Prizrenit në korrik të vitit 1945, Kuvend që gjoja vendosi «bashkimin» e Kosovës me Jugosllavinë. «Të hapur ndaj Serbisë dhe Shqipërisë» shprehen disa politikanë shqiptarë gjoja globalistë dhe integristë në Prishtinë. Domethënë që Shqipëria na qenka e barabartë me Serbinë!! Po ata vetë çfarë janë??! Dhe e thonë këtë kur SHBA pret që të thonë më shumë, të paktën të thonë atë që thoshte Ramiz Cërnica, ose atë që kishte të shkruar në betim luftëtari i UÇK-së.) Artificializmi në ndërtimin e shteteve është destabilizuesi më i madh jo vetëm i atij shteti, por edhe i gjithë rajonit. Ballkani është destabilizues sepse është rajon artificial. Dhe synohet akoma nga disa shtete europiane të mbahet i tillë, për ta pasur Destabilizimin të Kontrolluar. Janë vetëm SHBA që fare hapur kërkojnë natyralitetin e tij. Dhe natyralitet do të thotë që shqiptarët të mos jenë gjysmake. Sa kohë që shqiptarët do të vazhdojnë të jenë në 5 shtete, aq kohë, Ballkani do të jetë fuçi - baruti. Sepse për aq kohë, shtylla kurrizore e rajonit do të jetë «e krisur» në qendrën e saj.(Osam, Dheka, 3.5 është një shtyllë kurrizore e krisur)
Vendi yt është Shqipëria
Një pjesë politikanësh shqiptarë, përpiqen ta fshehin ruajtjen e artificialitetit rajonal me gjoja ekzistencën e traditave, të integrimit, statukuosë etj. Sipas tyre, Maqedonia është edhe vendi i shqiptarëve pasi atje ata kanë varret e të parëve të tyre. Nuk është as logjike etnike dhe as historike, është thjesht propagandistike. Është për t´u shtirur. Është fshehja e pafuqisë për të bërë më shumë. Pse? Sepse varret nuk janë tregues se i kujt është vendi. Turqia nuk është vendi i shqiptarëve megjithse në Turqi me mijëra shqiptarë kanë varret e të parëve të tyre. As Greqia nuk është vendi i shqiptarëve meqë edhe në Greqi me mijëra shqiptarë kanë varret e të parëve të tyre. Republika e Maqedonisë ka brenda teritorit të saj një pjesë të konsiderueshme teritoresh që nuk janë maqedonase por janë shqiptare. Ato janë pjesë të Shqipërisë Natyrale, që për njëmijë e një arsye i janë shkëputur asaj. (Atdheu i Mehmet Pashë Derallës nga Tetova ishte Shqipëria, ai ishte ministër i qeverisë së parë të Ismail Bej Vlorës. A ka sens që gjoja në emër të globalizmit t´i thuash kujtimit të atij apo stërnipërve të tij se atdheu i Derallës është Maqedonia ?) Lypset të mësohet nga kryeministri grek Karamanlis që në mes të Këshillit të Europës, deklaroi përpara Mitrevës se : «Unë Konstantin Karamanlis jam maqedonas dhe bashkë me mua janë të tillë edhe 2.5 milion grekë të Maqedonisë së Egjeut». Pra ai synoi t´u mohojë maqedonëve jo vetëm emrin, por edhe kombësinë dhe askush nuk i tha asgjë. Ndërsa interacionalistët tanë kanë frikë të kërkojnë edhe emrin e tyre !!
Integrimi europian kalon nga bashkimi i shqiptarëve
Sa kohë që shqiptarët në rajon do të jenë në gjendjen e sotme, aq kohë rajoni do të jetë i pastabilizuar. Por për këtë përgjegjësia nuk do të jetë e tyre. Ndërsa Shqipëria do të jetë e pazhvilluar dhe për këtë pazhvillim të saj, lypset që përgjegjësia të kërkohet tek vehtja. Zhvillim do të thotë bashkim. Gjendja sotme me raportin 8 milion serbë në një shtet, 10 milion greke në një shtet dhe vetëm 3.5 milion shqiptarë në një shtet, ka dhe do të ketë destabilizim, ka dhe do të ketë moszhvillim të shqiptarëve. Integrimi europian kalon nga bashkimi. Askush nuk mund t´u thotë shqiptarëve pse kërkojnë të drejtën e tyre, pse kërkojnë zhvillimin e tyre.
Nuk ka komente:
Posto një koment