2 sht 2007

Trima-frikacakët e politikës shqiptare

Genc Llakaj

Trima-frikacakët e politikës shqiptare

Situata e ditëve të fundit në Kosovë është e një rëndësie jetike për kombin shqiptar, por, çuditërisht, kjo gjë nuk po shqetëson aspak, jo vetëm politikanët e Shqipërisë zyrtare, por edhe ata të Kosovës gjysmë zyrtare. Faktet kokëforta të deritanishme flasin për një mospërgatitje, për një mospërgjegjësi, ndoshta për një frikë të politikanëve tanë. Gjithë kjo zvarritje e qëllimshme nga kahu ruso-serb dhe miqtë e tyre (që nuk janë të paktë por dhe as të dukshëm), gjithë kjo neglizhencë dhe paaftësi nga tanët, nuk do ta shpjerë Kosovën gjetkë veçse në rrugën e një pavarësie të vonuar dhe ndoshta të një tragjedie të pashmangshme. Tragjedi, e cila do të rikthej fatkeqësisht në një dhunë të domosdoshme. Edhe individë apo struktura të pafuqishme institucionalisht e kuptojnë se rrugëzgjidhjen për pavarësinë e Kosovës e ka “në dorë” populli dhe vetëm populli i saj nëpërmjet përfaqësimit diplomatiko-politik të tij.
Ndërsa, disa të votbesuar dhe kopetentë të thonjëzave e kanë parashikuar shumë më herët se kjo situatë e tashmëkrijuar është pasojë e politikave të zbrazëta dhe të pakoka të përfaqësuesve pushtetarë të deritanishëm të cilët, nëpërmjet takimeve me “politikanë-europianë” që janë pro apo kundër pavarësisë, nuk kanë mundur të jenë solidë dhe konstruktivë në strategjitë e tyre politike. Midis politikanëve tanë të Kosovës dhe institucioneve ndërkombëtare (Këshilli i Sigurimit, Përfaqësuesit e BE-s, politikanë të lartë Amerikanë, Ruso-serbë) janë bërë shumë takime zyrtare (apo jo të tilla) ku janë trajtuar thjesht dhe formalisht për sy e faqe të opinionit të shëndoshë mbarëbotëror pa pasur këllqe autoritare këto probleme të një rëndësie primare.
Defektet apo falimentimet e shumicës së këtyre takimeve shterpe nuk bëjnë gjë tjetër veçse çojnë ujin në mullirin serbo-rus duke kënaqur etjen e serbomëdhenjve dhe, dashur apo pa dashur, i presin ujin mullirit kosovar.
Koha po tregon se nuk do të jetë më në favor të parakëve të politikës shqiptare, aq më tepër ndaj atyre që kanë lindur frikacakë. Dhe të tillët i kanë shtuar arradhët. Pas ’99-ës e këndej shumë trima u shndërruan thjesht në frikacakë.
Frika lind në shpirtin e fajtorit dhe me kohë bëhet sunduese dhe e plotëfuqishme brenda tij. Në rastin konkret, nuk ka arsye të ketë frikë politika kosovare kur dihet se ajo mbështet të drejtën e një populli që kërkon atë çka prej dekadash i është mohuar.
Atëherë, përse politikanët tanë të Kosovës nuk kanë kurajon e duhur të mposhtin këtë frikë?
Përse nuk e marrin guximin nga çështja e drejtë e një populli që po vuan ende padrejtësisht?
Të gjitha këto takime boshe, letra të shkruara pa bojë, bisedime thjesht formale dy apo shumëpalëshe, premtime apo gënjeshtra, afate javore apo tre mujore, pompozitet të takimeve burrërore, premtimet apo mospremtimet e bëra, tregojnë se nuk ka dhe nuk do të ketë sukses asgjë e bërë nën sloganin-destruktiv” mos ndoshta po kërkojmë më tepër nga ç’na takon?”
Nuk duhet të kenë as turp dhe as drojtje përfaqësuesit tanë në këto takime dhe aq më shumë nuk duhet të ndihen si lypsa të diçkaje që me shekuj duhet të ishte zgjidhur. Përkundrazi, ndjekja me rigorozitet dhe vendosmëri e çështjes së Kosovës është jo vetëm detyrë, por dhe një e drejtë legjitime që tashmë ka ndërgjegjësuar edhe vetë kundërshtarët serbë edhe pse atyre nuk u intereson ta pranojnë këtë gjë.
Nuk duhet të mendohet ndryshe sovraniteti i një populli tashmë i binduar se i mungon liria. Populli kosovar duhet ta privatizojë lirinë e tij të ligjshme një orë e më parë si të gjithë popujt e tjerë.
Të kërkosh një të drejtë kaq minimale siç është ajo e pavarsisë apo e lirisë së Sovranit nuk është as krim dhe as kundërshti e aspiratave dhe dëshirave të një pakice-mysafire që ndodhet gjeografikisht dhe rastësisht pranë teje.
Duke pasur parasysh qëllimin parësor: respektimin dhe përuljen ndaj të drejtave më minimale të një populli, (siç janë ato të ekzistencës dhe ushtrimit të kulturës së vet pa kolonizatorë apo gjenocidbërës), politika shqiptare s’duhet të jetë e ngathët. Aq më tepër të ndihet borxhleshë karshi të tjerëve me pretekstin e bashkëjetesës në dukje të emancipuar ndërmjet popujve vendas e të shumtë dhe popujve të ardhur e të paktë.
Kur nuk respektohen të drejtat e maxhorancës, si mundet të pretendohet një gjë e tillë për minorancën në një demokraci?
Kur serbo-rusët nuk njohin pavarësinë e kosovarëve që përbëjnë 95% të popullatës si mund të njohin atë të vëllezërve të tyre në Kosovë që përbëjnë vetëm 5%? Edhe kjo shtirje e autoriteteve serbo-ruse për dashuri të pakufijshme ndaj pakicave serbe në Kosovë është falco dhe e pamoralshme. Qëllimi tyre i vërtetë është përfitimi i territorit dhe jo mbrojtja e popullatës serbe që banon në disa fshatra të veriut të Kosovës.
Me gjithë respektin për popullin rus apo atë sllav nuk mendoj se përfaqësuesit e politikës të këtyre popujve duhet të pyeten kaq shumë nëse duan apo jo pavarësinë e Kosovës. Aq më tepër kur bëhet fjalë për pavarësinë e të shumtëve autoktonë.
Po t’i rikthehemi historisë, do të ndryshojë hiçmosgjë në qëndrimin serbo-rus. Thjesht do t’i freskojmë kujtesën opinionit europian dhe atij botëror se, kur këta popuj “miq” u dyndën në Ballkan u pritën nga shqiptarët pa kurrfarë kompleksesh. Nuk u mendua asnnjëherë nëse ata do ta paguanin “hotelin e përjetshëm” në Ballkanin pellazgo-ilir. Aq më keq, sot, që “adhuruesit” e tyre “altruistë” bëhen më katolikë se Papa kinse duke i mbrojtur nga një e keqe që nuk ekziston qysh prej ardhjes së tyre në Ballkan në shekullin e VII të erës sonë e deri më sot. Këto provokime të psikologjisë: “të kërkojmë shumë ndoshta marrim pak”, të tipit “dushanian”( të 1346-s), janë të rrezikshme dhe, më e keqja, shumë ultranacionaliste. Dëshira e bashkëjetesës së popullit Dardan ka qenë hyjnore prej shekujsh, ky popull nuk ka paragjykuar faktin që serbët erdhën në Ballkan dhe ju futën me kokë ortodoksisë fanatike. Kjo ishte punë e tyre. Por, edhe të marrim leje prej tyre për të rregulluar shtëpinë tonë me duket totalisht abstrakte dhe paradoksale. Kjo më duket një manovër prej frikacaku të ndërgjegjshëm. Drojtja e politikave tona ka qenë e theksuar dhe dëmsjellse për vendin qysh prej kohësh të vjetra kur, pararendësja e kësaj politike të sotme prodhonte amulli dhe paqartësi që sot shfrytëzohen më së miri nga serbo-rusët në interes të shndërrimit të këtyre të fundit në faktor vendimëmarrës apo vendimëbërës në Ballkan.



Edhe pse të vonuar apo shumë herë të keqorganizuar, shqiptarët sot më tëpër se kurrë janë ndërgjegjësuar se Pavarsia e Kosovës ashtu siç nuk u është dhuruar deri më tani po kështu nuk do t’u dhurohet ndonjëherë në të ardhmen.
Çdo kush mund të pyesë:
Si dhe në çfarë rruge Kosova do të bëhet shteti i pavarur?
Është e aftë politika kosovare t’ia servirë popullit te vetë këtë pavarësi?
Nëse kjo politikë nuk arrin një gjë të tillë, kush do ta luajë rolin e saj?
Mendoj se rruga fillestare dhe më demokratikja për zgjidhjen e këtij ngërçi të krijuar duhet të fillojë padyshim nga një diplomaci e aftë me origjinë shqiptare. Kjo e fundit, po të jetë me këmbë në tokë dhe me mendje të kthjellët, doemos do të shprehë dhe mbrojë aspiratat e popullit kosovar dhe gjithashtu nëpërmjet një “loje ” të zgjuar nuk do të lejojë për asnjë çast boshllëqe në përmbajtjen dhe formën e strategjisë që duhet të ndjekë për të arritur në finalizmin zyrtar të Pavarsisë pa kushte të shqiptarve të Kosovës.
Për sa i përket pyetjes nëse kjo politikë është apo jo e aftë të gjejë rrugën më me pak kosto për këtë qëllim madhor do të doja të citoja një thënie të popullit italian: ”nuk ekziston shprehja “nuk mundem”, por ajo “nuk dua”. Pra, me pak lodhje, me shumë përkushtim, me mendjemprehtësi dhe me largpamësi klasa politike shqiptare (brenda dhe jashtë Kosovës) e gjitha së bashku e ka mundësinë intelektuale të faktorizojë shqiptarët në rajon, duke bindur shkençërisht dhe politikisht institucionet mbarë botërore për drejtësinë e kauzës dhe për rëndësinë e zgjidhjes së problemit kosovar në të mirën e rajonit dhe më gjërë. E gjithë kjo lëvizje duhet përshpejtuar, por edhe kontrolluar me seriozitet, profesionalizëm dhe gjakftohtësi prej “trimi me mend” dhe jo prej frikacaku të palogjikshëm.
Nëse pushtetarët e sotëm në Kosovë do të ngrejnë duart lart apo do të tërhiqen për shkak të paaftësisë së tyre, nuk do të thotë aspak që shqiptarët janë të pazotë e që s’mund të gjejnë përfaqësues të denjë midis tyre. Elementë të aftë dhe politikisht të moralshëm mendoj se ka dhe janë të gatshëm t’i shërbejnë pa frikë kësaj kauze dhe me një kurajo të urtë të marrin në dorë timonin e së mirës për të udhëhequr në rrugë demokratike drejt stabilizimit të krizës në Kosovën e Pavarur, në Ballkan e më gjerë.


Genc Llakaj

Fier më :19/08/2007

Nuk ka komente: