Disa teori joekonomike të (mos)zhvillimit ekonomik të Kosovës
Shkruan: Isa Mulaj
Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, Gjermania kishte qenë aq e shkatërruar sa që shumë ekonomistë vlerësonin se një gjermani mesatar do t’i duheshin afër pesë vite punë për t’i siguruar dy palë këpucë. Në realitet kjo i kishte marrë tri vite. Pas ndarjes në Gjermaninë Lindore dhe Përendimore më 1949, e dyta kishte vazhduar me zhvillim të hovshëm që u bë i njohur si Wirtschaftswunder – mrekullia ekonomike. Në përgjigjjen më të thjeshtë kosovarët do të thoshin, dhe në fakt ende thonë ,,paj gjermant janë gjermanë”, duke shfaqur kështu një lloj paragjykimi me dozë raciste. Në bazë të këtij paragjykimi, ka pasur edhe teori të atilla se disa vende janë të gjykuara për të mos përparuar kurrë, në mesin e tyre Hong Kongu dhe Irlanda. Sot Irlanda është shtet më i zhvilluar se Britania e Madhe.
Është vërtetuar përmes studimeve se luftërat civile në Armeni, Azerbajxhan, Taxhikistan, Gjeorgji, Molldavi, Kroaci, dhe Maqedoni kanë pasur ndikim negativ në rritjen ekonomike vetëm në afat të shkurtë, pas të cilit vazhdon zhvillimi progresiv i qëndrueshëm. Bosnja, e cila shpesh krahasohet me Kosovën, tani gjindet në një konsolidim ekonomik dhe gati gjysmën e importit e mbulon me eksport. Në Kosovë ndodhë e kundërta; në dy vitet e para pas luftës ka pasur një rritje të hovshme ekonomike që u shpjegua me ndihmat nga jashtë dhe krahasimit me bazën shumë të ultë. Tani kur është dashur të fillojë zhvillimi i qëndrueshëm, ekonomia e Kosovës merr teposhtëzen. Krejt fajet në mënyrë të paarsyeshme i hedhën statusit të pazgjidhur politik. Kështu në vend të ekonomisë politike dhe politikave ekonomike, e bëmë politizimin e ekonomisë.
Rezultatet shumë të diversifikuara gjatë transicionit për në ekonominë e tregut në shtetet e Evropës Qendrore dhe Lindore i kanë detyruar studuesit t’i fusin në analizat e tyre ekonomike faktorët jo-ekonomik siç janë dallimet ndërmjet kulturave dhe institucioneve. U bë e qartë se zbatimi i modeleve të njëjta të zhvillimit, në kushte përafërisht të ngjashme, me trashëgimi konceptuale të njëjtë – socializëm, nuk është në gjendje të shpjegoj pse disa vende mbesin prapa e disa tjera përparojnë.
Ndryshimet në zhvillimin ekonomik më së shumti sqarohen përmes institucioneve. Në kuptimin më të përgjithësuar, ekzistojnë dy lloje institucionesh. Grupi i parë janë institucionet që ndryshojnë shpejtë, e të cilat i karakterizojnë ndryshimet politike, ose diçka që ndodhë në sistemit politik pluralist. Ndryshimet e tilla janë më të shprehura në shtetet ish-socialiste. Në Kosovë, ndryshimet politike mund të ndodhin edhe brenda natës, pa e ditur kush në detaje pse, si, për çka. I kemi parë këto ndryshime në fillim të marsit 2006 dhe ,,shpresojmë” t’i shohim edhe në të ardhmen.
Grupi i dytë janë institucionet që ndryshojnë më ngadalë ose kërkojnë më shumë kohë. Këtij grupi i përkasin faktorët historik, kulturor dhe specifik të një vendi. Bashkëveprimi ndërmjet këtyre dy grupeve të institucioneve ndikon në zhvillimin ose ngecjen ekonomike. Një alternativë shpesh e praktikuar është transplantimi institucional ose eksportimi i njohurive dhe sistemit ligjor e qeverisës në vende të ndryshme. Kosova është rast tipik që ju nënshtrua transplantimit institucional. Kur alternativa e tillë kishte dështuar në sjelljen e përparimit ekonomik (sikur në Indi nën sundimin Britanik), atëherë sqarimi ju adresua shkakut të bashkëveprimit të pa koordinuar dhe të papërshtatshëm ndërmjet institucioneve që ndryshojnë shpejtë dhe atyre që ndryshojnë ngadalë. Megjithatë, këtë sqarim e hodhi poshtë praktika e rritjes ekonomike të Indisë kohëve të fundit, e cila u me tepër u mbështet në institucionet saj që ndryshojnë shpejt dhe ngadalë se sa në vlerat e transplantimit institucional.
Sidoqoftë, konstatimet se qeverisja institucionale e ekonomisë dhe zbatimi i reformave ekonomike duhet të bazohen në faktorët e brendshëm ose specifikat e vendit, në epokën e globalizimit dhe integrimeve ekonomike nuk mund të përkrahet. Globalizimi dhe integrimet ekonomike shpesh godasin vendet e varfëra në kuptimin që sjellin një lloj neokolonializmi duke i bërë ato objekte të nënshtrimit dhe eksploatimit nga vendet e pasura. Që vendet e varfëra të bëhen partner e jo ta ndiejnë veten si skllevër të vendeve të zhvilluara, suksesi i reformave të tyre varet shumë edhe nga disa faktorë jo-ekonomik ku hyjnë: niveli i njohurive të akumuluara, faktorët kulturorë dhe historik, dhe mentaliteti i njerëzve në formimin dhe udhëheqjen e institucioneve.
Kosova kishte nivel shumë të ultë të njohurive të akumuluara dhe i mungonte përvoja për tranisicion në demokraci dhe ekonomi të tregut. Ajo çka ishte arritur gjatë socializmit vetqeverisës u shkatërrua gjatë viteve ’90-ta përmes apartit represiv dhe aparthejdit serb duke i përjashtuar shumicën e shqiptarëve nga administrata publike dhe sektori shoqëror i ekonomisë. E tërë ajo dekadë e humbur më vonë do t’i ketë pasojat në qeverisjen e transicionit pas luftës. Përveq kësaj, kur erdhi transicioni emergjent, jo vetëm që nuk kishte më interesim për sistemin e vetqeverisjes as në pikëpamje teorike dhe shkencore, por shqiptarët e Kosovës gabimisht e identifkojnë atë sistem me hegjemoninë serbe. Realisht, as vet serbët nuk kanë treguar ndonjë simpati për të në kohën kur ai ishte në vitet e fundit të jetës së tij. Për çudi, nacionilzmi serb ne fillim të viteve ’90-ta do ta përdorë referencën ndaj socializmit vetqeverisës si zbulim të sllovenëve për ta eksploatuar Serbinë. Nuk kishte shantazhe dhe akuza tjera më të mira kundër Sllovenisë në agjendën e Serbisë për ta nënshtruar ish-Jugosllavinë.
Kur të merret parasysh hendikepi i Kosovës me mungesë të përvojës dhe njohuri të mangëta, secili do të vinte në përfundim se transplantimi institucional do të ishte i mirëseardhur për ta zënë hapin më shpejt në atë që është humbur. Një gjë e tillë fatmirësisht edhe ndodhi, por grupi i institucioneve që ndryshojnë shpejt nuk ishte dhe ende nuk është si një tërësi. Ai është i fragmentuar në UNMIK dhe institucione të përkohshme të vetqeverisjes (IPVQ). Në vend se të flitet për bashkëveprimin e këtyre institucioneve me institucionet që ndryshojnë ngadalë, d.m.th. faktorët historikë dhe kulturorë të Kosovës, nuk mund të flitet për bashkëveprim të përshtatshëm ndërmjet institucioneve që ndryshojnë shpejt (UNMIK-ut dhe IPVQ-ve). Në teori, UNMIK-u dhe IPVQ-të janë institucione si tërësi por në praktikë institucione dualiste. Vlerësohet se kjo ka ndikuar negativisht në ekonomi, qoftë nga neglizhenca, jokompetenca, moskoordinimi, ashtu edhe nga papërgjegjësia.
Bashkëveprimi ndërmjet institucioneve që ndryshojnë shpejtë dhe ngadalë me gjasë askund në botë nuk është në mospërputhje më të madhe se në Kosovë. Prej shumë e shumë faktorëve, po e përmendim atë më bazik – gjuhën, e sidomos atë që përdoret nëpër ligje dhe rregullore, e kam fjalën për ato që e rregullojnë ekonominë. E njëjta gjë vlen për dokumentet dhe raportet që shkruhen ose përkthehen në gjuhën shqipe. Ajo gjuhë është aq e ndërlikuar me terma të huaj sa që kuptimi i saj është i kapshëm vetëm për një grup të caktuar njërëzish, ndoshta më së miri për ata që i kanë bërë këto pështjellime. Kështu synohet të ndërtohet shteti ligjor dhe ekonomia funksionale me ligje që, edhe po deshën t’i shqyrtojnë detajisht, pjesa dërmuese e popullsisë nuk i kupton. Prapavijën e këtij sistemi ekonomik enigmë pakkush e kupton. Kemi pasur bindjen se e kemi kuptuar socializmin vetqeverisës i cili për disa herë ka qenë më shqip se ky tani, por nuk e kemi njohur sa duhet.
Ne jemi të gatshëm të pranojmë çfarëdo transplantimi që e kërkon nevoja, koha, e pse jo edhe shtetet individuale, por nuk nxjerrim mësime në formë të njohurive të akumuluara. Ne nuk po nxjerrim mësime as nga ky sistem i cili duket se për shumicën është bërë i neveritshëm. Ndoshta për një gjë të tillë nuk kemi nevojë të brengosemi fare përderisa Zoti dhe Amerika e përkrahin pavarësinë e Kosovës! Nëse tash parashtrohet pyetja kontraverse se a janë të gjykuara nga natyra disa vende sikur Kosova të mbesin përgjithmonë ekonomikisht të prapambetura krahasuar me tjerat, përgjigja është Po – përgjithmonë derisa të ekzistojë sindromi i mentalitetit jostabil dhe të paformësuar.
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment