3 sht 2007

Çështja Hoti: GJENIUT I VESHËN ETIKETA MË TË NDYTA



Shkruan: Afrim Morina

Gjenitë lindin rrallë. Çdo komb sado i madh të jetë, e ka për nder të ketë gjeni në gjirin e vet. Mirëpo, kur ata dalin nga popujt e vegjël dhe bëjnë emër me përmasa ndërkombëtare, i gjithë kombi duhet t’i ruaj si sytë e ballit. Ukshin Hoti është një gjeni i tillë në fushën e shkencës politike, e ne a kemi ditur ta çmojmë dhe ruajmë atë?

Gjenive herë-herë u frikohen oponentët dhe gëzohen kur u ndodhin tragjedi apo kur u pamundësohet veprimi. Se ata gjejnë zbrastësirë për të manipuluar në atë fushë në të cilën mungon ai. Pra e keqja gjenive u vije nga diletantët e fushave përkatëse. Gjeniu është edhe në shënjestër të popujve tjerë, ose për ta përvetësuar atë për interesa të tyre, e nëse nuk e arrijnë qëllimin, ia pamundësojnë veprimin. Shembuj të tillë ka plotë në botë, e te ne është rasti i Ukshin Hotit.


Gjenitë lindin në kohë të pakohë. Pra ata janë promotor të shoqërisë, prandaj edhe i takojnë së ardhmes, e jo kohës kur jetojnë. Ata i paraprijnë kohës dhe mu për këtë janë në shënjestër të bashkëkohësve dhe kjo është shkaktarë e luftës për ta përvetësuar ose për të pamundësuar që idetë e tij t’i prijnë kohës, me një ego të sëmur, se unë jam ai që duhet t’i prij shoqërisë. Kjo i ndodhi edhe Ukshin Hotit.

Gjenitë gjejnë forma për t’i artikuluar mendimet e veta dhe për t’i plasuar në atë pjesë të botës së ndërgjegjësuar, e cila do t’i shfrytëzojë për të mirën kombëtare apo për gjithë njerëzimin, për t’iu shmangur rrymimeve pseudoshkencore, që bota të mos pësojë kthim prapa apo ndonjë apokalips, por të eci përpara. Ky është misioni i gjeniut. Këtë mision ka Ukshin Hoti, e këtë mision e kanë edhe apostujt e tij.

Gjenitë kanë edhe një specifikë të veçantë, se ata janë të vetëdijshëm se kanë lindur para kohe, e për t’i thënë gjërat ashtu siç duhet thënë, duhet pasur guxim. Ky guxim nuk i ka munguar kurrë profesor Hotit.

Gjenitë janë në qendër të vëmendjes të pushtetit, të intelektualëve e masave, por më shumë të politikanëve. Ata mundohen të përfitojnë dhe përgatisin gracka për ta mposhtur, kur nuk ia arrijnë, nga kuzhinat e tyre dalin edhe lloj-lloj gjellëza, që pjesa e ndërgjegjësuar as nuk ofrohet për t’i marrë erë. Shpifjet e tyre janë nga më të ndryshmet, duke i provuar njërën pas tjetrës, gjersa të gjejnë se cilën e ha populli. E quajnë tradhtar, të çmendur, e nëse mungon në mesin e njerëzve të tij e shpallin edhe të vdekur. Të gjitha këto thashetheme dolën nga kësi lloj kuzhine për profesor Ukshin Hotin.

Ukshin Hoti që i ri u dallua në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare ekonomike e politike dhe për këtë kishte disa benificione nga pushteti i ish Federatës Jugosllave për ta bërë për vete dhe e dërgoi në disa universitete të Amerikës për në superspecializim. Kjo u ra në sy edhe ekspertëve amerikan dhe për këtë pak a shumë i ka dhënë përgjigje Ismail Kadaresë në letrat e tij “Bisedë mes grilash“. Aty shihet se profesor Hoti ishte i përcaktuar që gjithë jetën do të jetë në shërbim të atdheut. Këtë më së miri e dha në mbrojtje të Pranverës së përgjakshme të rinisë studenteske të vitit 1981. Duke e ditur gjenialitetin e tij Serbia përshpejtoi për ta vënë brenda grilave të burgut. Ajo e dinte mirë, se po ta lente të lirë atë, ai jo vetëm që do ta bindte popullin e vet dhe masivizonte masat shumë shpejtë, por ai do ta bindte edhe faktorin ndërkombëtar për realitetin e shqiptarëve në Kosovë, e jo bota të bindej nga krismat e armëve të luftëtarëve të lirisë shtatëmbëdhjetë vjet më vonë. Pas burgut do ta izolonte në vendlindjen e tij - Krushë e Madhe, duke i vënë një rreth të hekurt mercenarësh, që i përcillnin UDB-ës dhe KOS-it çdo lëvizje të profesorit. Edhe në asi rrethanash gjente hapësirë për të vepruar dhe idetë e tij për t`i plasuar te rinia.

Në kryeqytetin e Republikës së rebeluar Sllovene - Lubjanë do të gjej hapësirë për plasimin e idesë së Demokracisë Autentike, jo të importuar. Diti mirë ta shkoqis autoktonen nga e importuara. Për këtë gjeti një formulë mjaftë të thjeshtë, pozitën Gjeostrategjike dhe Gjeopolitike që zë hapësira kombëtare. Ai i shpjegon gjërat nga më e thjeshta, për të kuptuar më lehtë kompleksitetin e filozofisë së tij politike, në librin “Çështja e filozofisë politike shqiptare“.

Edhe kjo filozofi krijoi hendekun e ri të dytë të bashkëvendësve. I pari ishte me largimin e tij nga Universiteti i Prishtinës dhe i dyti me rikthimin e tij në jetën politike. E para mund të arsyetohej disi, se ishte në pyetje frika për të humbur postin, pagën, largimi nga familja dhe për t`u shëtitur nëpër qeli të burgjeve. I dyti si mund të shpjegohet? Iu dha e drejta e ligjërimit në fakultet, por nuk iu legjitimua e drejta e profesorit. Pra kjo jep për të kuptuar se ai nuk ishte resocializuar nga UDB-ja dhe ende duhet mbajtur nën mbikëqyrje të akëcilit profesor apo dekan dhe nëse nuk ecte rrugës filozofike që mëtonte të ndërtohej, duhej marrë e drejta e ligjërimit. Ndryshe nuk mund të shpjegohet. Rikthimi në jetën politike legale i tmerroi. E pse të mos i tmerronte, kur ai botërisht tha në varrimin e një dëshmori më 1990, se për ta mbrojtur këtë që e kërkojmë duhet të kemi një forcë mbrojtëse. Forca mbrojtëse nuk përkonte me filozofin e re politike që krijohej. Atëherë u ngritën zërat për ta larguar nga politika, me metoda perfide titiste. Këta zëra u ngritën edhe nga Fushë Kosova, pas shumë përpjekjeve të dështuara brenda në Rahovec nëpërmjet emisarëve nga Prishtina. Si dikur që e panë rrezikun armiqtë e kombit nga ky, po këtë rrezik e shihte edhe klasa politike në Kosovë. Duke e njohur mirë filozofinë titiste, doli botërisht se hiqte dorë nga ajo filozofi dhe do të përvijonte filozofinë e vet, e cila veç i kishte apostujt që e propagandonin ose vepronin në frymën e saj. Dikush punonte në ilegalitet, dikush kishte rënë në burg (fjala është për rihapjen e burgjeve për të burgosur politikë, pas amnistisë së vitit 1990, që edhe Jugosllavia e atëhershme mundohej të vë maskën e shtetit demokratik, si Jugoserbia e sotme.)

Profesor Hotit i kërcënoheshin dy rreziqe: i pari vinte nga lidershipi shqiptar, e i dyti vinte nga okupatori. Serbia e dinte se idetë e tij do t’ia tërthuronin punët në frontin e hapur në Kroaci e më vonë në Bosnje edhe Hercegovinë dhe e ledhatonte “Republikën e Kosovës“ duke ushqyer klasën politike për t’iu rikthyer asaj më vonë. Kjo dhe doli. Duke e parë këtë rrezik profesori vendosi të krijoj një opozitë të fortë duke u mbështetur në filozofinë e tij politike, e, që kishte bindje se do të ngadhënjej dhe këtë mund ta bënte vetëm nëpërmjet një partie politike. Në këtë kohë meditimi të tij, merr ftesë nga kreu i UNIKOMB-it dhe pa u hamendur merr përsipër udhëheqjen. Ky akt kishte tejkaluar parashikimet e lidershipit shqiptarë dhe okupatorit serb dhe për të dy palët formulë e përbashkët ishte, po prishet bilanci politikë në Kosovë- duhet penguar. Kjo pengesë u bë një orë e gjysmë më vonë të qëndrimit të tij në selinë e kësaj partie dhe UDB-ja i zë pritën dhe e arreston.

Prishja e bilancit politikë në Kosovë u reflektua edhe në Shqipëri. Mërgata shqiptare do t’i përmbledh shkrimet e tij dhe do t’i botojë në librin “Filozofia politike e çështjes shqiptare“, dhe 4500 ekzemplar do të tretën bashkë me një kamion që tentoi t’i bie në Kosovë, të cilin do ta sekuestroj policia shqiptare dhe në Kosovë do të arrijnë vetëm 20 ekzemplar.

Frika nga kjo filozofi e re e mbështetur në Demokracinë Autentike, si bazë mbështetëse në gjeopolitikë dhe gjeostrategjik të truallit kombëtar, sigurisht do t`i tronditi edhe disa forca të caktuara në Perëndim e Lindje. Profesor Hoti i ndante në grup shtetesh që kishin interesa të ndryshme në tokën tonë. Tash ne që jemi dëshmitar të prezencës së tyre këtu, po i shohim me sy. Po i shohim me sy edhe përcaktimet e forcave politike shqiptare. Prandaj Parlamenti Evropian për t’i ikur një trysnie që i bëhej nga forcat e shëndosha shqiptare për fatin e profesor Hotit, me 14 Maj të vitit 1997 do të nxjerr në Rezolutë për lirimin e tij nga burgu. Ajo Rezolutë mbeti në letër, se po të lirohej ai, forca kombëtare që përbënte diku rreth 20% të elektoratit në Kosovë, do ta rriste këtë përqindje shumë më shumë, gjë që i frikonte. Prandaj duhej ruajtur balanca politikë. Këtë e dinte edhe lidershipi i Kosovës dhe për herë të dytë e shpalli të çmendur. Letrat nga burgu e demantuan këtë propagandë të turpshme. Edhe z. Elizabet Rejn, u detyrua t’i shmangët misionit të saj dhe pranoi një të vërtetë të servuar se “Ukshin Hoti nuk është gjykuar e as që është në burgun e Prishtinës.“ Edhe pse kishte dokumentacion të bollshëm, iu bë e ditur edhe një herë se ku gjendej profesori. Të gjitha këto krijonin një kon dhe në pikën e lartë të konit ishte e shënuar, po të lirohet Ukshin Hoti do të prishen balancat politike, ndoshta në gjithë hapësirën shqiptare. Për këtë edhe ishin bërë anketime, analiza dhe testime të ndryshme psikosociologjike. Një mërgimtare (Shemsie Elshani) në telefon do t`i thotë motrës së profesorit - Mirvetës “Kur erdha këtu, profesori ishte i shtrirë për, dhe i nëpërkëmbur dhe i përbuzur nga shqiptarët. Sot (fundi i vitit 1996) ai është ngritur vertikalisht dhe ka filluar të eci në diasporë, e atje?“ Këtu mundoheshin ta margjinalizonin me çdo mjet propagandistik që u vihej në dispozicion, ndërsa okupatori rronte në të terun, se nuk i bëhej presion i fuqishëm për ta liruar. Parlamenti Evropian e futi Rezolutën në sirtar dhe nuk e nxori sot e asaj dite në pah, të paktën formalisht.

Prishjes së këtij bilanci politikë do t`i frikohen edhe në caktimin e delegatëve në Rambuile nga LBD, forcë politike që ishte krijuar me bashkimin e disa partive politike. Ky ishte shansi i fundit për ta liruar profesorin nga burgu dhe kjo u bë me vetëdije. Ndoshta për këtë u kanë sugjeruar “miqtë“.

Në këtë Kosovë gjysmë të lirë, u bënë protesta të shumta për lirimin e të burgosurve politikë nga burgu, emri i tij nuk u zu në gojë asnjëherë nga folësit, madje për hir të bilancit politikë u lansua edhe dezinformata më e tmerrshme- Ukshin Hoti është i vrarë. Ka të tillë që bëjnë be e rrëfe. Pas gjithë këtyre lojërave rreth profesor Hotit, a mund t`u besohet atyre apo duhet marr gjërat me logjikë.

Ukshin Hoti nuk është njeri që mund të vritet dhe të mos dihet kush e ka vrarë. Ai nuk u nxor nga kolona, nuk ishte në pikë vëzhgimi dhe të zihet rob, nuk ishte korrier dhe të kapej nga okupatori. Ai ishte në burg, madje me një Rezolutë për ta liruar nga burgu, të nxjerr për te nga Parlamenti Evropian dhe ka një dëshmi se është liruar para kohe. Ai që rezonon me logjikë nxjerr tjera përfundime dhe pas nxjerrjes së këtyre përfundimeve mobilizohet për të vepruar. E si mund të veprojë një motër e vetme, së cilës i është bërë presion që ta tërheq nga politika dhe të kërkoj fatin e tij si familje. Ky mesazh i vjen nga faktori ndërkombëtar, ndoshta edhe nga faktori shqiptar në mënyrë të tërthortë. Logjika thotë, ai ende duhet të rrijë prapa grilave, se prishet balanca politik shqiptar. Nëse në ndërgjegjen tonë ka trokitur mesazhi i Ismail Kadaresë “se është turp për kombin të mbahet Ukshin Hoti në burg“, atëherë rreth këtij mesazhi duhet të mobilizohemi sot, që përkojnë tri data të rëndësishme: 1. përvjetori i lindjes së tij, 2. përvjetori i burgosjes dhe humbjes së gjurmëve dhe 3. përvjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që jeta dhe vepra e tij janë program i yni kombëtar.

P.S.
Autori ishte zëvendës i profesor Hotit në UNIKOMB dhe e udhëhoqi këtë parti në mungesë të tij që nga 20.04.1996 deri më 02.04.2000.

Prishtinë, Qershor 2003

Nuk ka komente: