2 sht 2007

THIRRJA E 18 QERSHORIT

Salih MEHMETI

THIRRJA E 18 QERSHORIT

Siç e shtjellon edhe Wesley Clark, në cilësinë e ish komandantit suprem të Forcave amerikane në Evropë, në librin e tij voluminoz ‘Të bësh luftë moderne’, lëvizjet e popullatës serbe në Kosovë, gjatë hyrjes së trupave të NATO – s u manifestuan pikërisht me formësimin e enklavave serbe, domethënë me bërjen e njëfarë fortifikimi të heshtur demografik të vendbanimeve serbe, në të cilat u bart një pjesë e rrokshme e arsenalit luftarak të ushtrise serbe. Të ngjizurit e këtyre ngrehinave enklavizuese, pati qëllim të shumfishtë: strehimi i forcave serbe të cilat po tërhiqeshin nga Kosova dhe ringjallja e këtyre forcave në momente të përshtatshme për Serbinë. Një gjë mësojmë nga realiteti i hidhur, gjashtëdhjetvjeçar i Palestinës: Në vitin 1945, kur Palestina veçse po kolonizohej hovshëm nga çifutët ardhacak, numëronte mbi gjysmë milioni palestinez rrënjës. Nga 26.000 çifutë që ishin në Palestinë, pjesa më e madhe e tyre ishin anëtarë të organizatës paramilitare ‘Hagana’ (Çështja Palestineze, M. M. Salih, fq. 51). Përbërja e tanishme e ish - enklavave serbe, tanimë të standartizuara juridikisht me staturën e komunave, nuk ndryshon cilësisht nga ‘Hagana’ çifute.
Serbët gjatë agresionit në Kroaci u përçapën për të ngrehur një territor të ri politiko – jurdik në Kroaci (Republika Serbe e Krajinës, 1991 – 1995), përreth Sllavonisë, Baranjës e Sremit përëndimor. Mirëpo, në sajë të ripërtritjes së qëndresës kroate, gjithë territoret e gllabëruara nga serbët u çliruan, rrjedhimisht gjithë strategjia serbe në Kroaci dështoi. Tanimë, përqëndrimi demografik i popullatës serbe ndodhet vetëm nëpër qendrat e mëdha urbane të banuara dendësisht me kroat, si në Zagreb, Rijekë, Zarë, Dubrovnik, Karllovc e Osijek, ku etnoinstrumentalizimi i serbëve gjithsesi nuk ekziston, për dallim nga realiteti ogurzi i Bosnjë - Hercegovinës.
Vetëm duke e diagnostifikuar kësisoj, do të përplotësohej kuptimi i ‘pse’ – së së pezullimit të pafundmë të regjistrimit të popullsisë në Kosovë. Duke mos ekzistuar një statistikë rëndësore e përbërjes së popullisisë së gjithëmbarshme të Kosovës, manipulimi shifror po bënë kërdinë. Kjo është arsyeja pse po mundësohet pacënueshëm një kthim marrafrymës i gjithëfarë banorësh në Kosovë, gjithnjë duke ndaluar kthimin e shqiptarëve të zbuar dhunshëm gjatë viteve të represionit serb. Medvegja dhe Malësia e Bujanocit janë dy nga trevat shqiptare të Luginës së Preshevës, ku shprëngulja e madhe e shqiptarëve ka prekur majat, duke i lënë këto vise krejtësisht të zbrazura. Boshllëku i mbetur nga përzënia e shqiptarëve, po mbushet me stacionimin e paprashëm të forcave serbe, përbri rripit kufitar lindor me Kosovën. Në një intervistë të drejtorit të shërbimit informativ ushtarak serb (VBA), Momir Stojanoviq dhënë gazetës ‘Nedelnji Telegraf’, ndër të tjerash pohon: ‘… do të mundohet ta bëjë reale spastrimin etnik të shqiptarëve nga Presheva, Bujanoci e Medvegja (flet për prirjet e Serbisë për të hyrë ushtarakisht në Kosovë – Shën. imi S.M) për ta bërë këtë gjë akt të kryer, ku pastaj këtë gjë do ta përdorte si kushtëzim për t’i kthyer shqiptarët në vendlindjen e tyre me kthimin e serbëve në Kosovë ku njëkohësisht vetë Serbia nuk do ta lejonte kthimin e tyre në Kosovë, për ta dëshmuar para botës duke i fajësuar shqiptarët se ‘në Kosovë nuk mund të kthehen të shpërngulurit’. Serbia don pazare për problemin e Mitrovicës, prandaj mund të hyjë edhe në kalkulime për Preshevën e Bujanocin’.
Në intervalin kohor të viteve 1932 – 1935, Bolivia dhe Paraguaji, shtete fqinje këto në Amerikën Jugore, hynë në një luftë të rreptë frontale për rajonin ‘Gran Çako’ në të cilin pos resurseve të supozuara të vajit natyror, e përshkonte rrjedha e lumit të Paraguajit, i cili zotëruesit të mundshëm do t’i siguronte dalje në Oqeanin Atlantik. Pas marrëveshjës së bërë me 1938 në Argjentinë, midis shteteve kontestuese, u vendos që pjesa më e madhe e territorit të Gran Çakos t’i akordohej Paraguajit, ndërsa Bolivia do të mjaftohej më mbajtjen nën kontroll të pikave më strategjike dhe mbajtjes së portit lumor Puerto Bush i cili i siguronte lundrimin e pacënueshëm mbi lumin e Paraguajit, i bërë një objekt zënkash. Duke mos disponuar ndonjë resurs të rëndësishëm minerar, Lugina e Preshevës përbën një regjion jashtëzakonisht strategjik, duke qenë se siguron një dalje komunikative në Luginën e Vardarit. Kësisoj, do të mund të shpjegohej ngulmimi serb për të fortifikuar edhe më karaullat ushtarake nëpër pjesë të caktuara të Luginës së Preshevës, siç është rasti me ekzistencën e bazës logjistike – ushtarake të ushtrisë serbe në fshatin Boroc të Bujanocit, 7 km larg magjistrales A -10. Në anën tjetër, çështja e paproblematizuar e Luginës, Serbisë po i mundëson t’i mbajë hapur kartat e saj për kthimin e ‘refugjatëve’ nëpër pjesë strategjike të Kosovës.
Vidimriçi është një nga fshatrat e pakta shqiptare, në veri - përëndim të Mitrovicës i cili është një nga zgjatimet me fshatra shqiptare në Zveçan (Boletin, Lipë, Zhazhë), bashkë me tri fshatrat e tjera shqiptare të Albanikut (Bistricë e Shalës, Koshtovë, Ceraj), pra disa korridore tokësore shqiptare në veri, të cilat po të shfrytëzoheshin sa e si duhet do të pengonin praktikisht shkëputjen e pjesës veriore. Të lënë nën rrebeshin e kthimit të vazhdueshëm të serbëve dhe nën mëshirën e çetave paramilitare serbe, këto fshatra orë e çast rrezikohen nga asgjësimi i njëhërë e përgjithmonshëm. Kjo është arsyeja, pse nga askush dhe asnjëherë nuk u zu n’gojësh, Abedin Bahrami banor i fshatit Vidimriç, shtëpia e të cilit është shenjëstruar me sulme të armatosura disa herë rradhazi nga paramilitarët serb të fshatit Koril, me të cilin kufizohet fshati Vidimriç.
Aksionet e tëra të sipërmarrura nga KFOR - i dhe policia e UNMIK – ut nëpër fshatrat shqiptare, rrjedhuan praktikisht me çarmatimin e tërësishëm edhe të atij armatimi të mpaktë, i cili u shpëtoi ‘krematoriumeve’ dhe furrave të KEK – ut, në të cilat KFOR – i shkriu në hekur kushedi sa armë të UÇK - së. Një aksion i këtillë, asnjëherë nuk preku dot as me gishtin e vogël ndonjërën nga komunat serbe, ku dihet realisht se militarizimi i vijueshëm i serbëve të Kosovës, ndjell një realitet i cili i përngjason Bosnjës.
Dikur përmes Radios BBC në Londër, korifeu i rezistencës gjithëfranceze, Sharl De Goli komunikonte kudo nëpër hapësirat dëgjuese të Evropës duke ftuar botërisht që francezët të rroknin armët ndër duar për t’ia gjetur çaren Francës, të zhuritur nga pushtimi nazist. I njohur ndër vite si ‘Thirrja e 18 qershorit’ me 1940 fjalimi i De Golit shënon një nga faqet në të ndritura të lavdisë franceze, ngase kushtrimimit për liri iu përgjigjën zëshëm gjithë francezët, të mbështetur fuqimisht nga SHBA – ja dhe Britania e Madhe. Sot, nga BBC – ja, DW ose VOA mund të dëgjosh kontrastin e thekshëm të fjalimit të De Golit: çapaçulët vendor bëjnë thirrje për përulësi, e këtë na e begenisin si përkrahje nga SHBA – ja. Së fundmi, ja si na u kapërdis, si gjeli maje plehu, Agim Çeku në fjalimin e tij të çdojavshëm në ‘Radio Kosovë’: ‘Të nderuar bashkëqytetarë, … Jam i kënaqur që kemi kapërcyer një situate emergjente: atë të shkaktuar nga temperaturat e larta’. Në këtë kohë të rrëmujshme, kur mejdanet e negociatave po gatiten rishtas, ku ndarja e Kosovës veç sa s’u bë punë e mbaruar, Çeku na tregon marifetin e tij prej zjarrfikësi. Mbase, edhe për këtë është bërë kryeministër. Qysh e tek, e tregon më s’miri Marsi i 2004’ës.
Dhe, Vetoni vazhdoi pelegrinazhin ‘Ecja e Gjatë’…

Nuk ka komente: