2 sht 2007
17 nëntori 2007, mekanizëm unmikistanez për ndërrimin e kukullave!
17 nëntori 2007, mekanizëm unmikistanez për ndërrimin e kukullave!
Shkruan: Sejdi VESELI
Jemi dëshmitar se ethet e fushatës për farsën e radhës, të ashtuquajturat zgjedhjet e lira “kombëtare” dhe lokale, kanë filluar shumë kohë para se të shpallej data e mbajtjes së tyre.
Më në fund u bë publike, se data e mbajtjes së kësaj farse, me mundësi të shtyrjes me siguri për “të mirën “ e Kosovës), do të jetë 17 nëntori 2007.
Ky publikim u bë nga askush tjetër, pos nga ai që edhe e ka marrë vendimin, Kreu i kolonizuesit aktual të Kosovës, “Lartmadhëria” e tij, Joachim. Ruecker.
Edhe këto zgjedhje nuk janë tjetër , pos edhe një akt mashtrues i radhës për popullin e Kosovës, pos një mekanizëm unmikistanez për ndërrimin e kukullave të tij.
Këto zgjedhje janë edhe një farsë e UNMIK-ut, në kolaboracion të fshehtë me disa lider partiak, në shërbim të mashtrimit të popullit, se gjoja ai mund t’i zgjedh lirshëm përfaqësusit e vet në organet e pushtetit “vendor”.
Shihet qartë, se kjo është edhe një gënjeshtër e pa krip e radhës, në vazhdën e atyre që u bënë në vazhdimësi dhe që mjerisht u konsumuan nga një pjesë e madhe e popullit. Por, nëse populli e hanë edhe njëherë një karrem të tillë, si edhe katër herëve tjera, do të jetë viktimë edhe i një mashtrimi të radhës, sepse ai me votën e tij të lirë, nuk do të zgjedh përfaqësuesit e vet legjitim, por si dhe herëve tjera, do t’u mundësoj udhëheqjeve partiake të dëshmuara për dëgjueshmëri të skajshme ndaj Unmikistanit, që t’i avancojnë me titullin e deputetit të përzgjedhurit e tyre, të dresuar për dëgjueshmëri ndaj shefit.
Sipas të gjitha gjasave edhe mund të ndodhë, sepse populli jonë ende nuk është ndërgjegjësuar deri në atë masë, sa t’u shpëtojë manipulimeve nga propaganda e atyre që shtiren se janë të “përcaktuar” për të prezantuar kërkesat e tij dhe për t’u përpjekur “sinqerisht” për realizimin e tyre. Është dëshmuar, se një pjesë e konsiderueshme e popullit tonë, ende nuk është mësuar, që kur nuk i ofrohen alternativa për të zgjedhur atë që i pëlqen, të konsumojë të drejtën e tij demokratike për të bojkotuar edhe kinse zgjedhjet e lira. Dhe vërtetë nuk ofrohen alternativa bindëse, që zgjedhësi të ketë mundësi të përzgjedh atë, të cilët i beson më shumë, ngase asnjëra prej partive ekzistuese nuk ka dhënë asnjë dëshmi (dhe ska si jep kur nuk i ka), se ka punuar apo se është interesuar për përmbushjen e premtimeve nga zgjedhjet e kaluara. Përveç kësaj, asnjëra prej partive nuk do të kenë ndonjë dallim nga njëra tjetra, si për nga programi që do të parashtrojnë para elektoratit, ashtu dhe për nga gatishmëria për ta zbatuar atë në jetë, nëse i fitojnë zgjedhjet.
Elektorati ka pasur mundësi të bindet, se verdikti i votës së tij është përdorur për ta mashtruar atë, se ja, nga ata që janë mandatar si rezultat i këtij verdikti të tij, janë themeluesit e kinse Parlamentit dhe kinse Qeverisë së Kosovës.
Populli (elektorati) ka pasur mundësi të mësoj edhe këtë të vërtetë, se edhe këto zgjedhje kinse të lira, thirren nga unmikistanezët, zhvillohen në bazë të rregulloreve të tyre të përpilura enkas dhe kinse partitë që do të garojnë në to, së pari duhet të licencohen në zyrat e OSBE-së, si subjekte të “afta” për të garuar. Dhe çka është më diskredituese për këtë farsë të quajtura kinse zgjedhje, po në OSBE duhet të sigurohet më parë përshtatshmëria (me siguri politike) për secilin kandidatët, (si dikur në LSPP, ku fjalën kryesore e kishte Shërbimi i Sigurimit Shtetëror Serbijan). Andaj, nuk mund të konstatohet ndryshe, pos se, si “Parlamenti”, ashtu dhe “Qeveria” e ardhme e Kosovës, si ato të kaluarat, jo vetëm se nuk do të jenë në shërbim të verdiktit të votës së elektoratit, por ato do të vazhdojnë të jenë marioneta të Unmikistanit e nesër të Eumikistanit, të gatshme të zbatojnë me servilizëm të gjitha detyrat që u parashtrohen nga të huajt, pa u mërzitur shumë se me veprimet e tyre do t’i groposin shumë nga interesat më vitale njerëzore dhe kombëtare të popullit.
Vetë fakti, se edhe në këtë farsë zgjedhore, do t’u mundësohet pjesëmarrja e partive politike ( mitingashe ) dhe antishqiptare edhe nga Serbia fqinje, nën kushte shumë të favorshme. Ato, përveç se i kanë të garantuara 10 vende të parlamentit, nuk i nënshtrohen limitit për t’u bërë parlamentare, 5 përqindëshit të famshëm, të cilit duhet t’i nënshtrohen partitë shqiptare, jep mundësi optimale për lexuesin e këtij shkrimi që të konstatoj drejt, se sa janë të lira dhe kombëtare këto zgjedhje.
Duke i pasur parasysh, krejt këto argumente, nëse populli del në këto zgjedhje, nuk mund të konstatohet ndryshe, pos, se ende nuk ka mësuar asgjë nga përvoja e tij e hidhur, sidomos në këto tetë vjetët e pas luftës.
Kur dihet se shqiptarët derdhen lumenj gjaku dhe bënë sakrifica sublime, jo për të venë nën këmbë popuj tjerë, por për t’u çliruar, njëherë e përgjithmonë dhe për të vetëvendos për të ardhmen e tyre, me të drejt imponohet pyetja: Deri kur do të vazhdojmë të vallëzojmë, sipas tingujve të orkestrave kinse vendore dhe dirigjentëve të huaj?
Kjo pyetje i mundon të gjithë atëmemëdhetarët e devotshëm.
Gjatë kërkimit për të gjetur një përgjigje të qëndrueshme, nuk duhet të anashkalohen lëshimet e njëpasnjëshme të profiteve në krye të shumicës së të ashtuquajturave parti politike shqiptare, të cilët ngjajnë me njëri tjetrin, siç i ngjanë kungulli kungullit dhe që janë shndërruar në do farë mujsharë të kinse IPVQ të Kosovës, në realitet figura shahu në tavolinat e unmikistanezëve.
Nuk duhet të anashkalohen pa u analizuar të gjitha këto lëshime të njëpasnjëshme të kinse liderëve tanë, ndaj të gjitha kërkesave të "miqve" të jashtëm dhe mashtrimet e tyre që vazhdojnë t’i bëjnë popullit, se gjoja po i prijnë sigurt drejt pavarësisë dhe anëtarësimit në institucionet evro atlantike, e çka jo.
Nuk duhet të anashkalohen këto lëshime shumë të rënda dhe rrenat në vazhdimësi, të këtyre kinse liderëve, se kinse për shkak të (a)politikës së tyre të “urtë”, na qenkan “pranuar” si partner me shtetarët e shteteve më të fuqishme të kohës dhe si rezultat i kësaj e ”paskan” mbështetjen e tyre për zgjidhjen e drejtë të statusit të Kosovës, kur rezultatin po e përjetojmë në shpatullat tona, sepse çështjen tonë kombëtare e sollën në pozitën "as mish as peshk"!
Gjithashtu, duhet të mirret parasysh, se nëse edhe njëherë e mashtrojnë popullin këta matrapazë (a)kombëtar, pasojat që do t’i shkaktoheshin të sotmes dhe të ardhmes së Kosovës, nga (mos)puna e tyre katërvjeçare, përkatësisht dyvjeçare, vështirë se do të mund të riparohen pa u derdhur lumenj gjaku!
Për mos me zgjatë, përgjigja e vetme në pyetjen e parashtruar do të ishte, shqiptarët do të vallëzojnë sipas tingujve nga orkestrat kinse vendore të dirigjuara nga të huajt, deri në momentin kur ndërgjegjësimi i tyre, do të arrijë deri në atë shkallë, sa që të jenë në gjendje për të kuptuar shkaqet e vërteta, të cilat e kanë sjellë në këtë pozitë, shumë të vështirë dhe me shenja të përkeqësimit të shpejtuar. Kur të kuptojnë qartë, se nga kjo gjendje nuk mund të nxirren, pa veprimet e tij të vendosura dhe të organizuara e orientuara drejt!
Pra, zgjidhje ka!
Kjo zgjidhje është një dhe e vetme.
Ajo gjendet në vetëm në vullnetin dhe në vendosmërinë e vetë popullit shqiptar, për të vetëvendosur për të sotmen dhe të ardhmen e tij, për fatet e vendit e tij të vetëm, trashëgim prej të parëve-Shqipërinë Natyrale!
Është momenti fundit që edhe ne shqiptarët ta kuptojmë përfundimisht, se në vend të deljes tonë para kutive të vendosura, gjoja për zgjedhjen e “deputetëve” tonë të ardhshëm, në realitet për vetëmashtrimin e tonë të radhës, ne duhet të përbashkohemi, pa dallim krahine, gjinie, moshe, besimi fetar dhe përkatësie ideore, përreth Flamurit tonë të vetëm kombëtar. Kështu, të betuar nën tingujt e Himnit të tij, të krijojmë një Front unik dhe veprues, për realizimin e një qëllimi të vetëm: Marrjen e fatit tonë në duart e tona!
Me marrjen e fatit tonë në duart e tona, duhet të fillojmë menjëherë me veprime të planëzuara drejt, mirë dhe me mjete e forma të përzgjedhura nga arsenali i përvojës tonë demokratike dhe asaj botërore:
-së pari, për të larguar “parazitët” dhe gjarpinjtë e gjakut” nga skena politike e Kosovës dhe për t’u marrë mandatin që të hiqen si përfaqësues të saj;
-së dyti, për t’u a tregua vendin që meritojnë, të gjithë atyre që na hiqen si miq, duke ua bërë me dije dhe prerazi, se ne jemi vetë zotë në truallin e tij;
-së treti, për të organizuar Referendumin për Vetëvendosje, ku me votën e lirë do të shprehnim verdikti tonë, se për ne, përveç jetësimit të Amanetit të Dëshmorëve të Kombit, të gjitha zgjidhjet tjera janë të pa pranueshme!
Është momenti i fundit – të veprojmë më vendosmëri për t’u bashkuar dhe të punojmë me përkushtim për ribashkimin e Shqipërisë Natyrale!
Koha do të vërtetojë, se tjetër zgjidhje nuk ka!
Prishtinë, 31 gusht 2007
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment